Ballkoni dhe pamja nga Hotel Natali ne Dhermi

Drejt Punës
Opinion
Periferi

Dhërmiu ndryshe, i thjeshtësisë, natyrës e mikpritjes

18 Korrik 2021, 17:54| Përditesimi: 18 Korrik 2021, 17:29

  • Share

Nëse nuk keni vendosur të sfidoni xhepin tuaj vetëm e vetëm që të kaloni një fundjavë në ato pak hotele me nga gati 500 euro e më shumë nata, apo të konsumoni në bare e restorante që, siç dëshmoni vetë, keni lënë mbi 5 mijë lekë vetëm për tre portokallë të shtrydhur e ca petulla, apo, apo, të skuqeni nga një anë në tjetrën, për një ditë të tërë në shezlongje që duken si krevatet e sulltanit, vetëm e vetëm për të zilepsur fqinjën, kolegen, kushërirën apo kushedi kë, që ishte një javë a dy javë para jush aty; Dhërmiu i bukur, Jugu, ka një botë tjetër: E mbushur me surpriza, kënde, njerëz, përpjekje, punë, thjeshtësi e mirësi. Eshtë një botë që nuk e zbuloj vetëm unë, është një botë me realitete mikpritëse mes ullinjve, pemëve, që i kanë zbuluar kaq shumë njerëz të cilët në rrjete sociale as nuk shajnë, as nuk lavdërojnë, thjeshtë shijojnë jetën. Jetojnë. Kështu, herë pas herë, futemi në lojë, ne, gazetarët, që e kemi për detyrë të dëshmojmë.

Hotel Natali në Dhërmi nuk është buzë detit, por mes ullinjve dhe në katet e fundit ka një pamje magjike nga ballkonët e tij. E megjithatë, vlera më e madhe e këtij hoteli të vogël familjar, nuk është as pozicioni, as luksi, por Toni, i zoti i shtëpisë që e nis i pari punën në mëngjes dhe mbyll i fundit ditën pas mesnate, duke pritur e përcjellë pushuesit me shumë zemërbardhësi. Ashensorin shpresojnë ta vendosin vitin që vjen, por kjo nuk pengon as të rinj nga Europa, as familje nga Shqipëria dhe Rajoni, ta zgjedhin për të kaluar disa ditë duke shijuar ushqimin e mirë, pastërtinë, çmimet brenda një logjike të të ardhurave në Shqipëri.

Bregdeti ka vend për të gjithë: mjafton të marrësh një çadër me vete, dy karrige portative, ushqim të freskët dhe të mirë në një çantë-termos dhe mund të ndjehesh “mbret” në gjirin më të bukur duke lozur e duke u argëtuar me shoqërinë. E gjitha kjo ka një kuptim vetëm nëse, siç shkruajtëm më sipër, nuk të është ngarkuar mëlçia nga fotografitë e blogereve, vipave, që tregojnë ato vende që mund t’i shijojnë ose njerëz që kanë profesione përmes të cilave fitojnë me të drejtë e meritë shumë mirë, ose sic e dimë, ata që nuk kanë më ku të fshehin paratë e korrupsionit e trafiqeve dhe gëzojnë të gjejnë vende ku pjata e nata është tepër, tepër e shtrenjtë. E dimë që Instagram dhe rrjetet sociale na e kanë sjellë afër cilindo vetëm me një klik, por ama e kemi vetë në dorë të shënojmë e të zgjedhim atë që na vlen, na përshtatet apo në fund të fundit e kemi realisht mundësi.

Banorët e zonës i njohin në pëllëmbë të dorës të gjithë ata që me të drejtë a me të padrejtë kanë “pushtuar” Jugun: Nga biznesmenë, prokurorë e ish-prokurorë, politikanë, zyrtarë, ministra, gazetarë e “ata të vizës së bardhë”: Mjafton një shtëtitje dhe merr vesh se kjo vila në Jalë është e filanit, këto pallate në Himarë po i ndërton fisteku, këtu mos u afroni se janë ata “të vizës së bardhë”, në Dhërmi të vjetër shtëpitë i shiti, e i bleu ai që… Jugu është një thashethemnajë e madhe me të mirat e të këqijat që lëvizin rreth tij. Varet nga ne nëse do të kërkojmë të mirën, që, ju siguroj, në udhëtimin tonë të radhës e takuam me shumicë:

Si në Himarë te Restorant “Cibo”  që i ka “shokët” të rrallë në përgatitjen e makaronave dhe produkteve të detit si në Itali, por me çmime Shqipërie, ëmbëlsirat gjithashtu shumë të mira. “Saktësia”, është arma jonë, na përsërit disa herë kamarieri, një djalë i përgatitur në punën e tij.

Gjiri i Akuariumit dhe ai i Pasqyrave janë oaze bukurie të natyrës dhe njerëzve, ku edhe turiste të huaja marrin diellin të qeta ne toples. Mes tyre dhe një e re me flokët shkurt dhe gjirin e djathtë të hequr me kirurgji, me siguri nga një kancer. Askush nuk i bezdis, askush nuk i tregon me gisht. Dy të rinj shqiptarë që nga Tirana po kalojnë netet aty me çadra, na ofrojnë thikën e tyre për ta hapur tre katër iriqë deti që në këto anë janë me shumicë. Të huaj të tjerë shihen me libra në duar nga një shkëmb në tjetrin.

Kjo ishte një copëz e Jugut tim. E gjeta edhe këtë vit siç e doja, magjik, dhe siç e kisha kërkuar për një pushim.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Anita: 05/03/2022 23:48

    Pershendetje! Me vonese e lexova kete artikull.Po me pelqeu Dua te te them dhe une dicka: kemi shtepu ne palase dhe kur duam te zbresim ne plazh urojme ishalla gjejme vend te veme cadren tone dhe dy karriget tona. E Kane zabtuar gjithe vijen bregdetare dhe vendasit nuk kane vend ku te vene karrigen e tyre????????

    Përgjigju
  • Dhermiotja: 19/07/2021 20:46

    Shkrime te tilla duhen per njerezit qe e ngrene cdo gje me pune, edhe per ata qe jetojne me djerse e qe shijojne natyren, ngrohtesine e komunikimin njerezor, dhe jo falcitetin e luksit dhe fasadave qe po i marrin frymen e pronat banoreve te jugut! Bravo, kjo eshte gazetari e vertete!

    Përgjigju
  • O tej: 18/07/2021 17:30

    Gjithmone e sakte e goje embel.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?