Dhjetë faktet, që ndoshta nuk i dini mbi vrasjen e Xhon Kenedit

6 Dhjetor 2021, 01:07| Përditesimi: 6 Dhjetor 2021, 01:09

  • Share

Më 22 nëntor 1963, presidenti i SHBA-së Xhon Kenedi u vra nga Li Harvi Osvald, gjatë kohës që udhëtonte në një makinë të hapur me gruan e tij Zhaklin, gjatë një vizite në Dallas. Kenedi ishte vetëm 46 vjeç, dhe pavarësisht punës së disa komisioneve hetimore, mbi vrasjen e tij ende ka shumë dritëhije.

Ndoshta është kjo arsyeja pse shumë historianë e konsiderojnë 22 nëntorin 1963, si ditën kur Amerika e humbi pafajësinë e saj. Por çfarë dimë realisht mbi vrasjen e Kenedit dhe çfarë mund të na habisë ende gjysmë shekulli më vonë? Ja 10 faktet që duhen pasur parasysh.

1. Vrasjet presidenciale

Ajo e Xhon Kenedit nuk ishte vrasja e parë presidenciale në historinë e SHBA-së, por e katërta në më pak se 200 vjet të historisë kombëtare. Para tij ishin vrarë në krye të detyrës Abraham Linkoln, Xhejms Garfilld dhe Uilliam Mekinli.

2. Tre apo katër të shtëna?

Sipas të dhënave, Osvald kishte qëlluar 3 herë në një kohë rekord:6.75 sekonda. Shumë  shpejt sipas atyre që nuk e besuan kurrë rindërtimin e ngjarjes nga Komisioni Uoren, i ngarkuar për zbardhjen e asaj që ndodhi në Dallas. Por një dokumentar nga kanali televiziv “CBS” tregoi se ajo është një kohë më se e arsyeshme për një qitës të mirë.

Duke vënë në provë 11 prej tyre, ekspertët matën një kohë mesatare prej 5.6 sekondash për të qëlluar 3 herë. Por disa dëshmitarë pohuan se atë moment dëgjuan edhe një të shtënë të katërt, e cila do të ishte qëlluar nga një kodër e vogël ngjitur me rrugën.

Megjithatë, nuk ka prova shumë të qarta mbi këtë pretendim. Arma e përdorur nga Osvald ishte e markës“Carcano”, e projektuar që në vitin 1891 nga italiani Salvatore Karkano për ushtrinë e Torinos. Modeli që përdori Osvald ishte prodhuar në Terni në vitin 1940.

3. Videoja

Në vitin 1963, jo vetëm që nuk ekzistonte Youtube, por nuk kishin lindur ende as krijuesit e kësaj platforme. Prandaj Abraham Zapruder, kameramani amator që filmoi vrasjen me kamerën e tij amatore, është një pararendës i vërtetë.

Videoja e tij u ble më vonë nga revista “Life” për 150.000 dollarë. Por ajo u transmetua në televizionin “ABC” vetëm 12 vjet pas vrasjes. Më pas, filmimet u kërkuan nga qeveria, për t’u bërë pronë e të gjithë amerikanëve, dhe familjes Zapruder iu dha një kompensim prej 16 milionë dollarësh.

4. Çfarë thonë historianët

“The Atlantic” shkruan se që nga viti 2000, 5 historianë të njohur amerikanë që japin mësim në universitete kanë botuar libra, ku përpiqen të rindërtojnë ngjarjen e vrasjes së Kenedit. Katër prej tyre besojnë se Kenedi ishte viktimë e një komploti, dhe se Osvald nuk veproi ivetëm.

Madje historiani Xherald Meknajt nga Kolegji Hud,beson se vrasja mund të ketë ndodhur me përfshirjen e disa oficerëve të shërbimit sekret amerikan. Edhe dy kolegë të tjerë, Dejvid Kajzer i Kolegjit të Luftës Detare dhe Majkëll Kurc i Universitetit të Luizianës Juglindore, bien dakord se atentati ishte organizuar nga vetë CIA.

5. Sekretet shtetërore

Si Komisioni Uorren ashtu edhe familja Kenedi preferuan ruajtjen e sekretit shtetëror mbi publikimin e të dhënave mbi vrasjen. Një zgjedhje e keqe, që vetëm sa përforcoi hipotezat e skeptikëve. Në fakt, përgjatë viteve janë de–klasifikuar më shumë se 90 për qind e dokumenteve (kryesisht pas filmit “JFK” të Oliver Stoun).

6. Dosjet e CIA-s

Përmes një deklarate për mediat, Delores Nelson, shefja e informacionit në CIA, pati deklaruar dikur se agjencia ka rreth 1.100 dokumente mbi atentatin që mbahen ende sekret.Asnjë nga këto dokumente nuk është parë ndonjëherë nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.

7. Rastësitë

Atë ditë në makinë me Kenedin dhe Zonjën e Parë ishte edhe guvernatori i Teksasit Xhon Konali. Ky emër shfaqet me kuriozitet në procesverbalet e hetimeve të ndryshme në Itali, mbi lozhën Masonike “Propaganda 2”. Konali,një antikomunist i zjarrtë, më vonë Ministër i Financave në presidencën Nikson, ishte në fakt një mik i Liçio Gelit.

Siç shkruan ish-gjykatësi Ferdinando Impozimato në librin e tij “Republika e masakrave të pandëshkuara”:“Është e habitshme, por në historitë tragjike të Xhon Kenedit dhe Aldo Moros,  gjejmë të njëjtat personazhe, të lidhur me mafian dhe masonerinë, si guvernatori i Teksasit, Xhon Konali dhe krahu i tij i djathtë Filip Guarino”.

8. Sondazhet

Një ditë pas vrasjes, 52 për qind e amerikanëve besonin se Kenedi ishte viktimë e një komploti. Në vitin 1976, pas Luftës së Vietnamit dhe skandalit Uotergejt, teoria e konspiracionit bindi deri në 81 për qind të amerikanëve. Kjo shifër ra disi në vitin 2003, në epokën e Xhorxh Bush, kur 3 nga 4 amerikanë të intervistuar, thanë se ishin të bindur se e vërteta për vrasjen e Kenedit është shumë ndryshe nga versioni zyrtar.

9. Dritarja e atentatit u nxor në shitje

Dritarja e librarisë së Teksasit në Dallas nga e cila Osvald qëlloi Kenedin, u çmontua dhe më pas u nxor në shitje në eBay, ku një blerës misterioz ishte ofruar ta blinte për 3 milionë dollarë. Gjithsesi më vonë u zbulua se ky lajm ishte një gënjeshtër.

10. Fustani i Xhekit

Fustani që kishte veshur Xheki Kenedi ditën e vrasjes, u mor nga detektivët dhe u vendos në arkivin kombëtar, ku qëndron edhe sot… pa u larë asnjëherë. /Bota.al

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?