Granada fitoi 2-0 kundër Alaves në La Liga. Golin e parë për vendasit e shënoi Myrto Uzuni. Beratasi shkon në kuotën e dhjetë golave këtë sezon, teksa tregon se është i dëmtuar, por gati të luaj edhe me një këmbë për ekipin. Për mediet në Spanjë 28-vjeçari tregoi se ka një lidhje me qytetin, ndaj nuk po mendon për tjetër ekip.
“Mendoj se kemi bërë një punë të mirë. Është një fitore për të gjithë tifozët, që janë gjithmonë përkrah nesh. Ky triumf është për ta. Vinim nga ndeshje të mira, por të rëndësishme në futboll janë pikët. Mendërisht nuk është e lehtë për ne.
Do të japim gjithçka deri në fund, Do të luftojmë në çdo ndeshje për të fituar dhe të shohim pastaj se sa pikë do të kemi. Duhet të harrojmë këtë ndeshje dhe të mendojmë për tjetrën.
Jam i lumtur për 10 golat që arrita në La Liga dhe duhet ta dini që kam shumë uri për të shënuar gjithmonë dhe për të ndihmuar ekipin.
Vijimësia në La Liga 2? Unë këtu jam si në shtëpinë time. Jam shumë i lumtur në Granada. Njerëzit më duan. Kam kontratë me Granadan dhe jam i lumtur këtu. Dëmtimi? E gjithë bota e di që jam i dëmtuar. Luaj me një këmbë për të ndihmuar ekipin. Jap gjithçka për këtë fanellë. Nuk ka rëndësi nëse me një këmbë apo me dy. Do të jap gjithçka për ekipin”, tha Uzuni.