Me dhjetëra banorë në fshatrat Zhitom i Vogël e Zhitom i Madh në njësinë administrative Tërpan pjesë e Bashkisë së Poliçanit prej vitesh vuajnë për rrugë.
Siç shihet në pamje, segmenti nga Droboniku në Zhitom me gjatësi 8 kilometra është i paasfaltuar dhe në dimër bëhet i pakalueshëm, për shkak të gropave të shumta me ujë. Banorët tregojnë se në fshat hyjnë me vështirësi vetëm fuoristradat, ndaj për emergjenca shëndetësore janë të detyruar të lëvizin me karroca kuajsh.
“Makina ime nuk ka shanse të hyjë. E lë këtu makinën dhe eci pastaj 2 kilometra në këmbë se janë gropat e mëdha”, tregon një i ri.
Ndërsa pyetjes se si i transportoni të sëmurë, ai përgjigjet “me gomar ose me karroca me kuaj”.
“Në fshatra banorët janë larguar, sot kanë mbetur rreth 50 familje”, tha një tjetër.
Ka 20 vjet që rruga nuk shtrohet. Kur bie shi izolohemi, fëmijët nuk i çojmë në shkollë. Problem i madh është për të sëmurët.
Banorët thanë se ndarja territoriale i ka penalizuar edhe më shumë. Dy fshatrat, Zhiton i madh dhe Zhiton i vogël gjeografikisht janë afër Beratit, por nga ana administrative i ka bashkia e Poliçanit. Banorët gjithashtu thanë se sa herë ka zgjedhje, politikanët premtojnë në fushatë se do asfaltojnë rrugën, por asnjëherë nuk e kanë mbajtur premtimin.
Kjo zonë është e njohur për vreshtari dhe kulturën e ullirit por rruga i paralizon banorët që të nxjerrin produktet të treg dhe të zhvillojnë ekonominë familjare.