Dhjetëra protestues thyen rrethimin metalik të sigurisë pranë vendit ku mbahej Kuvendi Kombëtar Demokrat në Cikago të SHBA. Ata dolën në rrugë për të kundërshtuar politikat e Biden për luftën në Gaza.
Familje me foshnja në karroca, studentë, udhëheqës të zgjedhur dhe të tjerë që mbanin banderola dhe flamuj iu bashkuan marshimit drejt qendrës ku mbahej Kuvendi, për të bërë thirrje për një armëpushim në luftën Izrael-Hamas.
Ndërsa grupi më i madh marshonte në mënyrë paqësore, disa dhjetëra persona që u shkëputën, shkatërruan pjesë të gardhit të sigurisë.
Disa protestues u ndaluan dhe u vunë në pranga nga policia. Autoritetet thanë se perimetri i brendshëm i sigurisë që rrethon vendin e kongresit nuk ishte shkelur dhe nuk kishte asnjë rrezik për ata që merrnin pjesë në kuvend.
“Unë jam këtu sepse dua që administrata e Presidentit Biden dhe Nënpresidentja Harris ta kuptojnë se ka njerëz që nuk janë të gatshëm të votojnë për të, nëse ajo vazhdon armatosjen e Izraelit”-tha një prej protestuesve. Kuvendi i demokratëve filloi dje dhe përfundon më 22 gusht.