Ekonomi

Dhoma Amerikane e Tregtisë publikon axhendën e Investimeve: 40 rekomandime për përmirësimin e klimës së biznesit

28 Qershor 2021, 14:54| Përditesimi: 28 Qershor 2021, 14:58

  • Share

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri publikoi sot “Axhendën e Investimeve 2021”, një paketë me 40 rekomandime drejtuar Qeverisë dhe Parlamentit të Ri me synim përmirësimin e shpejtë të Klimës së Biznesit.

Presidenti i AmCham, Enio Jaço vlerësoi kontributin e lartë të anëtarëve, në evidentimin e sfidave që pengojnë mënyrën e të bërit biznes. Jaço kërkoi që anëtarët të vijojnë të përfshihen edhe në procesin e punës për kthimin e rekomandimeve në legjislacion konkret per Parlamentin e ri.   

Axhenda e Investimeve është rezultat i punës së 10 muajve të fundit, ku Dhoma Amerikane realizoi një seri anketimesh me anëtarët e saj, ndjekur nga analiza teknike ekspertësh, për përmirësimin e klimës së investimeve. Perceptimi dhe gjetjet e anëtarëve konfirmohen dhe përputhen me gjetje të ngritura nga raporte të mirënjohura ndërkombëtare.

40 rekomandimet specifike në raport janë të organizuara në 8 themele përmirësimi të klimës së biznesit duke parashikuar sfidat, zgjidhjet dhe mundësitë e reja që krijohen. 

Axhenda synon një strategji bashkëkohore për tërheqjen e suksesshme të investimeve të huaja, implementuar dhe monituar nga nivelet më të larta në Qeveri. Strategjia duhet të identifikojë sektorët prioritarë dhe të krijojë incentiva për zhvillimin e tyre, pa procedura burokratike.

Një qendrim pa kompromis kundër korrupsionit me sanksione reale ndaj abuzuesve dhe monitorim transparent i llogaridhënies është me rëndësi për krijimin e besueshmërisë në publik. Rekomandimet synojnë krijimin e një sistemi transparent, efektiv dhe pa ndikim politik tek Prokurimet Publike si dhe garantimin e Konsultimit Publik efektiv, gjithpërfshirës. 

Rekomandimet synojnë rritje ekonomike duke adresuar elementë specifikë të ekonomisë. Modernizimi i sistemit të taksave konsiderohet vital për rritjen e konkurrencës dhe formalizimin e investimeve rajonale. Eksportet shqiptare përfaqësojnë mundësi të reja në periudhën post pandemike, e cila nxit domosdoshmërinë e zhvillimit të ekonomisë digjitale, ku Shqipëria duhet të krijojë kornizë bashkëkohore ligjore. Krijimi i një sistemi dinamik ekonomik kërkon aftësi të reja në burime njerëzore për të cilat Qeveria dhe sektori privat duhet të anagazhohen së bashku në rritjen e shpejtë dhe të targetuar të aftësive të forcës punëtore.                     

Implementimi i këtyre rekomandimeve garanton ndërtimin e një klime biznesi dinamike dhe shndërrimin e Shqipërisë në një vend konkurrent në rajon. Dhoma Amerikane do jetë e gatshme të ofrojë asistencën e saj në kthimin e rekomandimeve ne legjislacion, ndërsa do të vijojë dialogun me të gjitha palët politike dhe institucionale me nisjen e Sesionit të ri Parlamentar.

(Axhenda e Investimeve 2021 nga Dhoma Amerikane e Tregtisë)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?