Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA voton pro inkriminimit në protestat e dhunshme/ Trump: Absolutisht qesharake

14 Janar 2021, 08:06| Përditesimi: 14 Janar 2021, 15:29

  • Share

SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se përpjekja e ligjvënësve demokratë për të ngritur akuza për shkarkim në ditët e fundit të presidencës së tij është "absolutisht qesharake". Duke folur para gazetarëve për herë të parë që kur mijëra mbështetës të tij sulmuan Kapitolin të mërkurën e kaluar, Presidenti Trump hodhi poshtë çdo pretendim se ai ishte përgjegjës për kaosin që la të vdekur pesë njerëz. Zoti Trump u kishte kërkuar mijëra mbështetësve të tij në një tubim pranë Shtëpisë së Bardhë për të "luftuar" kundër përpjekjes së ligjvënësve për të certifikuar rezultatin e zgjedhjeve në të cilat ai humbi ndaj rivalit demokrat Joe Biden. Por presidenti tha të martën se, " (kjo çështje) është analizuar dhe njerëzit menduan se ajo që thashë ishte plotësisht e përshtatshme".

Disa orë pasi policia rivendosi rendin në Kapitol, ligjvënësit certifikuan votimin e Kolegjit Zgjedhor që nxori demokratin Joe Biden fitues të zgjedhjeve të 3 nëntorit. Joe Biden tani do të inaugurohet pas tetë ditësh si Presidenti i 46-të i vendit, duke i dhënë fund mandatit katër-vjeçar të zotit Trump.

Presidenti Trump i bëri komentet ndërsa po nisej drejt kufirit jugperëndimor me Meksikën për të inspektuar murin që ai ka ndërtuar për të penguar imigracionin e paligjshëm, të cilin ai e konsideron si një nga arritjet e tij kryesore si president. Zoti Trump tha se përpjekja për të ngrituar akuza ndaj tij është një "vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikës". Me të njëjtat fjalë ai i ka përshkruar edhe hetimet e mëparshme ndaj tij për pretendimet se Rusia e ndihmoi të fitonte zgjedhjet e vitit 2016 dhe miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve të akuzave për shkarktimin e tij në vitin 2019 pasi ai kërkoi ndihmën e Ukrainës për të zbuluar informacione kompromentuese për zotin Biden përpara zgjedhjeve të nëntorit. Senati e liroi atë nga akuza shkurtin e kaluar.
Presidenti Trump tha se ai nuk dëshiron më dhunë ndërsa zoti Biden përgatitet të marrë detyrën por tha se përpjekja e Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga demokratët për të ngritur akuza ndaj tij "po shkakton zemërim të jashtëzakonshëm".

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të hedhë në votim të martën një rezolutë që i bën thirrje Nënpresidentit Mike Pence dhe anëtarëve të Kabinetit të Presidentit Trump për të përdorur autoritetin e tyre kushtetues për të hequr zotin Trump nga detyra.

Masa, e cila pritet të miratohet, do t’i japë një afat 24-orësh Nënpresidentin Pence për t'u përgjigjur, por ai nuk ka dhënë asnjë shenjë se mbështet shkarkimin e Presidentit Trump. Kjo do të përgatiste terrenin për një votim të Dhomës së Përfaqësuesve të mërkurën mbi ngritjen e akuzave për shkarkim ndaj Presidentit Trump.

"Presidenti paraqet një kërcënim të menjëhershëm për Kushtetutën tonë, vendin tonë dhe popullin Amerikan, dhe ai duhet të hiqet menjëherë nga detyra", tha Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi të hënën.

As Nënpresidenti Pence dhe asnjë anëtar i Kabinetit nuk kanë dhënë ndonjë shenjë publike të mbështetjes për shkarkimin e zotit Trump në ditët në fundit të presidencës së tij përmes përdorimit të Amendamentit të 25-të të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, i cili lejon që Nënpresidenti dhe shumica e Kabinetit të deklarojnë një president "të paaftë për të ushtruar kompetencat dhe detyrat e tij".

Presidenti Trump dhe Nënpresidenti Pence u takuan të hënën vonë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë që nga java e kaluar. Nënpresidenti Pence e kishte zemëruar Presidentin Trump duke kundërshtuar thirrjet e tij për të refuzuar votat e Kolegjit Zgjedhor nga disa shtete që zoti Biden i fitoi me rezultat të ngushtë, duke i dhënë atij presidencën.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se Presidenti Trump dhe Nënpresidenti Pence "përsëritën se ata që shkelën ligjin dhe sulmuan Kapitolin javën e kaluar nuk përfaqësojnë lëvizjen Amerika e Para të mbështetur nga 75 milionë amerikanë (të cilët votuan për zotin Trump) dhe u zotuan të vazhdojnë punën në emër të vendit për pjesën e mbetur të mandatit të tyre.”

Edhe pse mandati katër vjeçar i Presidentit Trump skadon në mesditën e 20 janarit, projekt-rezoluta me katër faqe e Dhomës së Përfaqësuesve propozon ngritjen e akuzave për shkarkim duke theksuar se Presidenti Trump ka "demonstruar se ai do të mbetet një kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën nëse lejohet të vazhdojë detyrën dhe ka vepruar në kundërshtim të fortë ndaj vetëqeverisjes dhe sundimit të ligjit.”

Projekt-rezoluta citon akuzat e pabazuara të zotit Trump se ai humbi zgjedhjet për shkak të manipulimit të votave dhe parregullsive gjatë numërimit të votave, presionin i tij mbi zyrtarët e zgjedhjeve në shtetin jugor të Xhorxhias për t’ia "gjetur" atij më shumë se 11,000 vota për të përmbysur fitoren e zotit Biden në këtë shtet dhe thirrjet drejtuar mbështetësve të tij në një tubim të mërkurën e kaluar që të marshonin drejt Kapitolit për të bërë presion ndaj ligjvënësve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

218 ligjvënës demokratë e kanë nënshkruar projekt-rezolutën, duke siguruar një shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve me 435 anëtarë me ose pa mbështetjen e republikanëve kundër presidentit republikan në largim.

Udhëheqësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve kanë sinjalizuar se nuk kanë ndërmend t’u bëjnë presion kolegëve të tyre për të votuar kundër ngritjes së akuzave për shkarkim të Presidentit këtë radhë.

Nuk është e qartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do të dërgojnë menjëherë rezolutën në Senat për të filluar gjyqin mbi shkarkimin apo jo të Presidentit Trump, duke patur parasysh që mandati i tij mbaron javën e ardhshme.

Joe Biden tha se ai "shpreson" që Senati do të mund të zhvillonte njëkohësisht një gjyq për shkarkimin e Presidentit Trump dhe të konfirmonte emërimet për Kabinetin e tij pasi ai të marrë detyrën, si dhe të miratonte një paketë tjetër ndihmash për ekonominë amerikane të goditur nga pandemia e koronavirusit.

Ai tha të hënën për protestuesit e dhunshëm se, "është shumë e rëndësishme që të ketë një fokus serioz në mbajtjen përgjegjës të atyre njerëzve që u angazhuan në veprime të dhunshme, duke kërcënuar jetën e të tjerëve, dhe duke dëmtuar pronën publike."

Zoti Biden gjithashtu u tha gazetarëve se, "unë nuk kam frikë të bëj betimin përjashta", duke iu referuar ceremonisë së betimit të javës së ardhshme, e cila tradicionalisht zhvillohet në shkallët perëndimore të Kapitolit, një nga zonat e sulmuara nga protestuesit e dhunshëm.

Edhe nëse Senati miraton akuzat për shkarkimin e mundshëm të presidentit, pasi atij t’i ketë mbaruar mandate, ky do të ishte një akt me pasoja pasi një veprim tillë do t’ia hiqte atij të drejtën për të mbajtur një post në qeverinë federale në të ardhmen.

Ligjvënësi republikan Tom Reed tha në një artikull opinion në gazetën New York Times se ai do të bashkohej me një numër të paspecifikuar të kolegëve të tij të Dhomës së Përfaqëuesve në paraqitjen e një projekt-rezolute për kritikë të fortë ndaj Presidentit Trump të martën si një alternativë ndaj "akuzave të nxituara për shkarkim (të mundshëm të Presidentit)".

"Nëse udhëheqësit tanë marrin një vendim të gabuar mbi mënyrën se si duhet ta mbajmë atë përgjegjës, kjo mund të dëmtojë integritetin e sistemit tonë të drejtësisë, mund të ndezë më tej flakët e përçarjes dhe mund të zhgënjejë miliona amerikanë ─ që së bashku do të çonin në një dështim të përpjekjeve (për ta mbajtur Presidentin përgjegjës)", shkruante ligjvënësi Reed.

Nëse do të akuzohej përsëri, Donald Trump do të bëhej Presidenti i vetëm në historinë 245 vjeçare të Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza për shkarkim nga detyra./VOA

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?