Bilbil Maja që sot është ende në spital nga plagët e shumta që mori nga dhuna barbare e fisit Rraja, ka bërë denoncim në policinë e Krujës në maj të këtij viti për shkatërrimin e shtëpisë nga shpërthimet me tritol në guroren e Përparim Rrajës në Borizën.
Këtë e zbulon policia e Shtetit në një njoftim publik dhe thotë se denoncimi i Majës është referuar në Prokurorinë e Tiranës më 5 maj 2023, një material 20 faqe – thekson Policia e Shtetit – mbi këtë kallëzim.
"Materialet procedurale të referuara përfshinin informacionin e referimit të veprës penale, procesverbalin e kallëzimit, procesverbalin e këqyrjes së vendit, procesverbalin e deklarimeve dhe procesverbalin e këqyrje-marrjes së provave materiale" thuhet në njoftimin e policië
Pra policia thotë se në atë kohë, efektivët kanë shkuar në terren për të parë dëmet në shtëpinë e Bilbil Majës, por kanë marrë edhe prova materiale, ndoshta gjurmë të mjeteve shpërthyese në gurore apo dokumentacion të kompanisë së Përparim Rrajës, por kjo nuk specifikohet në njoftim.
Policia e Krujës ka kryer hetime të mëtejshme – thuhet zyrtarisht – dhe më 10 maj ka referuar të tjera materiale në Prokurorinë e Tiranës, një dosje me 186 faqe për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve policore për këtë rast, Policia e Krujës, më datë 30.05.2023, ka referuar në Prokurori, me shkresën nr. 1466/1, materiale procedurale shtesë të kryera në funksion të dokumentimit të plotë ligjor të këtij rasti"
Dosja përfundimtare me materiale të tjera shtesë, është bërë më 30 maj.
Ky njoftim publik i Policisë së Shtetit, nxiti edhe reagimin e Prokurorisë së Tiranës, e cila tha se hetimet e para kanë nisur që më 18 maj, pas referimeve të policisë, por në 25 maj, organi i akuzës i ka kërkuar hetime shtesë policisë së Krujës. Me plotësimin e dosjes, prokuroria e Tiranës thotë se regjistroi hetimin për shkatërrimin të pronës, më 19 qershor të këtij viti, i cili është në fazë paraprake.
Denoncimi i Bilbil Majës në Policinë e Krujës është bërë pasi banorët kanë protestuar për disa ditë rresht në fillim të majit, duke bllokuar rrugën e kamionëve për të shkuar në gurore, në mesin e tyre edhe Bilbil e Jashar Maja, të dhunuarit nga fisi Rraja. Efekte protesta
Dhuna barbare e Rrajave me shkopa bejsbolli e armë ndaj kushërinjtë që pinin kafe në një lokal në Thumanë, solli dhe spastrimin e komisariatit të Krujës në nivel drejtuesish, ndërsa rendin e sigurinë në këtë territor e mori përkohësisht Tonin Vocaj, kryepolici i Tiranës, që po ndjek hetimet ndaj Rrajave. Report Tv publikoi me zë dhe figurë se në dyert e komisariarit të Krujës banorët kishin adresuar më shumë se 40 denoncime kundër gurores së Përparim Rrajës, që nga shpërthimet pa kriter me tritol, u dëmtohen shtëpitë, por askush nuk kishte lëvizur as gishtin për të vepruar.
Në një deklaratë publike të Policisë së Shtetit thuhet se blutë e Krujës kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për këtë rast, “me paanshmëri dhe konform ligjit me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të personave përgjegjës”.
Prokuroria e Tiranës reagon lidhur me konfliktin e ndodhur në Borizanë për guroren e Rrajave dhe denoncimin e banorëve të fshatit se po u dëmtoheshin banesat.
Në një prononcim për median, prokuroria sqaron se më 18 maj është regjistruar procedim penal dhe 7 ditë më pas i është deleguar dosja për kryerjen e veprimeve hetimore Komisariatit të Policisë Krujë
Më pas më 19 qershor është regjistruar një procedim penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 të Kodit Pena dhe se çështja vijon ende në fazën e hetimeve paraprake.
Njoftimi i Prokurorise
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke marë shkas nga interesimi i mediave, në bazë të njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë së Shtetit dhe në vijim të informacioneve të dhëna rreth konfliktit të ndodhur në Borizanë, ju bën me dije se:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, mbi bazën e materialit të referuar nga Komisariati i Policisë Krujë, më datë 18.05.2023, ka regjistruar procedimin penal nr.3223 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal. Me shkresën Nr.6422, të datës 25.05.2023, dosja i është deleguar për kryerjen e veprimeve hetimore Komisariatit të Policisë Krujë.
Në vijim të materialit të referuar me nr.1466 nga Komisariati i Policisë Krujë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, më datë 19.06.2023 ka regjistruar procedimin penal nr.3872 të vitit 2023, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 të Kodit Penal. Çështja vijon ende në fazën e hetimeve paraprake.