Autoriteti i Mediave Audiovizive, ka reaguar pas dhunimit të gazetarit të Report TV, Elvis Hila gjatë mbrëmjes së djeshme. AMA kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të dhunuesve të gazetarit.
“Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, ka përcjellë së fundmi me shumë shqetësim aktin e rëndë të ushtrimit të dhunës ndaj gazetarit audioviziv Elvis Hila në qytetin e Lezhës. Kërcënimi psikologjik dhe ushtrimi i dhunës fizike ndaj një reporteri në detyrë janë akte të papranueshme, janë cenim i rëndë i standardeve të lirisë dhe pavarësisë së medias.
AMA pret me padurim zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve të këtij akti të shëmtuar dhe të rrezikshmëm për lirinë e shprehjes. AMA qëndron krah gazetarit Elvis Hila dhe të gjithë kolegëve të redaksive që punojnë me angazhim dhe përgjegjësi profesionale për informimin e publikut”- thuhet në reagim.
Lajmi kryesor:
Dhuna ndaj gazetarit të Report Tv Elvis Hila, Reporterët pa Kufij dënojnë sulmin: Të tmerruar! Opozita e Avokati i Popullit: Autorët të vihen para drejtësisë
B.V/ReportTv.al