TIRANË- Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka dënuar sulmin ndaj gazetarit të Report Tv, Elvis Hila, duke e cilësuar ngritjen dorë ndaj një njeriu të medieje si një lajm të keq për çdo shoqëri. Në reagimin e tyre, thuhet se fenomene të tilla nuk duhet të përsëriten më.
“Dhunimi i një gazetari që profesionalisht kryen punën e tij, është lajm i keq për çdo shoqëri. Në një shoqëri si e jona, ku nevoja për të pasqyruar të vërtetën është egzistenciale, dëmtimi i atyre që punojnë dhe jetojnë për këtë qëllim, nuk është thjesht individual, por shumë më tepër. Në këto kushte dëshirojmë të shprehim shqetësimin për këtë fenomen, duke e dënuar fuqishëm atë, dhe çdo lloj akti të ngjashëm. Në këto momente dëshirojmë të shprehim afërsinë për personin e lënduar dhe familjen e tij. Me shpresën e shërimit sa më të shpejt të Z. Hila, lusim Zotin që fenomene të tilla, të mos përsëriten”, thuhet në reagim të Konferencës Ipeshkvore e Shqipërisë.
Gazetari Elvis Hila u dhunua për shkak të një lajmi që raportoi lidhur me një qytetari, i identifikuar si Fran Ameri i cili kishte falsifikuar vendimin e një gjykate. Ky i fundit u dënua me një vit burg pasi kishte prodhuar një vendim gjyqësor të falsifikuar. Ameri u gjet fajtor për veprën penale "Falsikim Dokumentesh". Pas publikimit të këtij lajmi, Hila u dhunua nga djali i Fran Amerit, Indrit Ameri dhe Paulin Përgjini, të cilët nuk kursyen as bashkëshorten e tij.
Për dhunën ndaj Hilës, ka pasur mjaft reagime nga kolegë, ambasadarë, politikanë të cilët kanë kërkuar çuarjen para përgjegjësisë autorëve.