E teksa jeta artistike në vend ka qenë kyçur për 6 muaj radhazi, Kujtim Çashku, rikthehet me edicionin e 15 të Festivalit të të Drejtave të Njeriut. Në ceremoninë e hapjes, kineasti rrëfen vendosmërinë për të qenë pranë artdashësve në këtë periudhë të vështirë, që janë duke kaluar për shkak të COVID 19, por dhe për të mos humbur një traditë 15-vjeçare, siç është ky festival, që kësaj here ka në vëmendje të drejtat e grave edhe fëmijëve të dhunuar
“Dilema ishte nëse duhet të vazhdonin ritualet e kulturës edhe të artit, kur në këtë situatë të jashtëzakonshme pamë se si artistët nuk reshtën, por u përpoqën që të mbajnë shpresën dhe ëndrrat gjallë, gjë që është mision i artistëve përgjithësisht. Kjo na bëri që në këtë pjesë të globit të mos e humbim këtë ritual. Filmat janë të mrekullueshëm edhe trajtojnë probleme delikate. Shfaqen vetëm një herë edhe pastaj kthehen në destinacionin e tyre”, shprehet kineasti Kujtim Çashku.
Edhe kryetari i Festivalit Robert Wilton edhe ambasadori austriak Christian Steiner shprehin mbështetjen e tyre të kahershme për një festival, që synon të përmirësojë edhe të ndikojë në jetën e qytetarëve të vendin.
“Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri mund të jetë platformë e civilizimit edhe e përparimit e kulturës, për pasionin, moralin edhe kureshtjen edhe instinktin tonë për të kombinuar dhe ndarë idetë edhe shpirtin vetjak”, thotë Robert Wilton.
“Ky vit është i veçantë, se po zhvillohet gjatë një pandemie të paprecedentë, siç është pandemia COVID 19, por është edhe i veçantë për shkak se ky vit përkon me edicionin e 15”, shprehet ambasadori austriak Christian Steiner.
Filmi që çeli siparin e festivalit është “Cavier’ (kaviar) me regji të Elena Tikhonova. Ndërsa, gjatë këtyre 11-ditëve filmat dhe produksionet, përpos në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi, do të shfaqen dhe te lulishtja pranë kryeministrisë, si dhe Arkivi Qendror i Filmit, duke respektuar të gjitha rregullat e distancimit social për shkak të COVID 19.