Ministri i Malit të Zi për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve, Fatmir Gjeka ka dënuar dhunën e ushtruar nga efektivët ndaj Petraq Milos. Në një intervistë për Report TV, Gjeka tha se policët duhet të marrin dënimin e merituar në mënyrë që ky rast mos të përsëritet më. Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Gjeka dënon rastin duke thënë se kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut teksa tha se një rast i tillë nuk duhet të ndodhë më kurrë duke pasur parasysh që Mali i Zi është edhe një vend aspirant për BE.
“Masat janë marrë nga policia. Polici në fjalë duhet të marrë dënimin e merituar që në të ardhmen mos të ndodhë më kjo. Nga natyra jam gjithmonë në anën e të dëmtuarve, në këtë rast në anën e personit që është keqtrajtuar. Nëse mund të jetë edhe rom edhe një person tjetër, polici nuk ka të drejtë të sillet në atë mënyrë ndaj asnjë njeriu, kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut, duke ditur që është një shtet që do të bëhet pjesë e BE. Mendoj se nuk do kemi më raste të tilla”, tha Gjeka.
Gjeka komentoi edhe situatën politike në Malin e Zi, për të cilën tha se votëbesimi për rrëzimin e qeverisë së Dritan Abazoviç ishte një gabim. Sa i takon Kishës Serbe, Gjeka thotë se gjatë gjithë kohës po përpiqet që të orientojë malin e Zi drejt vendeve të Lindjes, Rusia dhe Kina.
“Votëbesimi kundër qeverisë Abazoviç ka qenë një gabim, por kemi hyrë në një proces që qeveritë mund të ndërrohen dhe shteti mund të vazhdojë integrimin dhe të ecë përpara. Kemi zgjedhjet presidenciale që bëhen më 19 mars, kemi më pak se 1 vit e gjysmë për zgjedhjet e rregullta parlamentare. Mund ti kemi pak më të parakohshme ose të rregullta, do ta shohim.
Kisha serbe ka qenë një instrument që është keqpërdorur në vazhdimësi deri më sot edhe nga serbët edhe nga pushteti. Është një përgjegjësi e pushtetit që ka lejuar shumë vite që të filtrojnë me kishën serbe për nevojat e veta. Do shohim sa do respektojë ligjin dhe kushtetutën, e ka pranuar me dokumente shtetin e Malit të Zi, por me veprime është ndryshe nga ajo çfarë kemi nënshkruar, ka ndikim të madh te serbët që janë rreth 30% e popullsisë së malit të zi. Është në frymën e politikës për ta çuar Malin e Zi nga lindja, nga Rusia ose Kina”, tha ministri Gjeka.
Ministri i Malit të Zi komentoi edhe mbledhjen që do të mbahet të hënën me qeverinë shqiptare.
“Marrëdhëniet janë të mira e të veçanta. Dy shtete më mike. Presim disa marrëveshje, 5 ose 6, në ministri të arsimit, shëndetësisë, turizmit, janë disa ministri që do kenë marrëveshje të hënën. Do nisë rreth orës 09:30 deri pasdite. Ekonomike, kultura, infrastrukturore. Këto pika do kenë marrëveshjen”, përfundoi ai.
Heren tjeter te qendroje ne radhe si gjithe te tjeret se nuk eshte me i mire sesa ata qe po mbajne radhen or teeeejjjjj.
Përgjigju