'Dhuna në derbin e basketbollit ka lënë gjurmë', Sekretari i FSHB-së për Report TV: Reagimi i shefes së Tiranës kalon në Disiplinë

24 Prill 2023, 13:07| Përditesimi: 24 Prill 2023, 13:13

  • Share

Korab Llazani, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit ka reaguar në lidhje me dy incidentet e fundit të dhunës në basketbollin vendas. Derbi mes Tiranës dhe Partizanit te femrat prodhoi dhunë, ndërsa drejtorja e Klubit Shumësportësh Tirana, Deborah Keci u bë protagoniste në sfidën e basketbollit të meshkujve mes Tiranës dhe Besëlidhjes, duke i hedhur një fanellë mbi kokë arbitrit, teksa kërkoi falje më vonë. Reagimi sipas saj ishte për shkak të padrejtësive.

Në Report Tv, për gazetarët Andi Kapxhiu dhe Nertil Agalliu në "Sot Live në Shqipëri", Sekretari i FSHB-së, Korab Llazani ka thënë se do jetë Disiplina që do vendosë edhe për rastin e dytë, teksa do më shumë vëmendje për sportin e basketbollit.

"Dhuna në derbin e vajzave dhe kontenstimet e Tiranës për arbitrat në basketboll? Lidhur me rastin e parë te vajzat e Partizanit dhe Tiranës, është një sitautë e tejkaluar që ka lënë gjurmë. FSHB ka mbajtur një qëndrim me Disiplinën dhe kryesinë më një mbledhje të jashtëzakonshme. Në rastin e drejtores së Tiranës, është një rast i paprecedentë. Sportisti i Tiranës hedh bluzën e tij dhe arbitri ia ka kthyer stolit. Reagimi i shefes së klubit është i papëlqyeshëm si një femër dhe si drejtuese. Do mblidhet Disiplina dhe do marrë masa sipas pikave. Kemi bërë më shumë se 1 mijë ndeshje dhe kërkojmë që të ketë më shumë vëmendje për këtë sport. Në fundin e këtij sezoni nuk duam që të marrë vëmendje vetëm dhuna, kemi bërë një edicion të mirë dhe gjaknxehtësia nuk mund të tregohet me arbitrat", tha fillimisht Llazani.

Më pas zyrtari i FSHB-së tha se në lidhje me akuzat për padrejtësi, gjërat nuk zgjidhen duke reaguar si drejtorja e Tiranës, Deborah Keci.

"Reagimi i Tiranës për padrejtësitë? Më vjen keq që një drejtues klubi ka një reagim të tillë. Ne nuk justifikojmë edhe gabimet e arbitrave, sepse janë dënuar sipas masave në fuqi. Basketbolli është i tillë dhe të rrëmben, më vjen mirë që drejtorja e Tiranës ka kërkuar ndjesë. Sporti është i larmishëm, është mjet edukues dhe sport nuk është vetëm futbolli. Jepini më shumë mundësi djemve dhe vajzave të reja që ta duan këtë sport, duke e reklamuar më shumë këtë sport", tha Llazani mes të tjerash.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?