Me qëllim minimizimin e dhunës në familje, e cila vijon të mbetet sfidë në vendin tonë, Lindita Nikolla, në cilësinë e deputetes, ka propozuar një projektligj me disa shtesa dhe ndryshime në ligjin aktual.
Parashikohet që mes autoriteteve përgjegjëse të përcaktuara më parë, të ngrihet edhe institucion i Komisionerit për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në marrëdhëniet familjare, i cili parashikohet të rregullohet dhe funksionojë me ligj të veçantë.
Projektligji propozon gjithashtu edhe trajnime të vazhdueshme të detyrueshme për të gjithë personat që trajtojnë viktimat e dhunës, si dhe hartimin dhe përditësimin e regjistrit te personave te trajnuar.
Në projektligj, për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen në çdo kohë të viktimave të dhunës në familje, është hartuar dhe një dispozitë e posaçme e cila parashikon marrjen e masave që viktima të pyetet nga personi i të njëjtës gjini dhe në prani të psikologes.
Por ky projektligj që ishte parashikuar që të diskutohej në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, u shty për shkak të mungesës së Nikollës. Kjo solli edhe debate mes mazhorancës dhe opozitës.
“Nuk e hedh dot në votim është shkelje rregullorje. Harrojeni Skandali i kryeministrit tuaj me Manigal ju ka shqetësuar të gjithëve, nuk e mbuloni dot”, tha Albana Vokshi.
“O ju jeni shkatërruar nga koka tek këmbët. Ju lutem zonja Vokshi”, i përgjigjet kryetarja e komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
Lindita Nikolla mungoi në komision për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa pritet që në ditët në vijim ky projektligj të kalojë nëpër komisionet e Kuvendit