Dhuna në 'Rrugën e Kombit', drejtorja e SHÇBA: Po hetojmë sjelljen e policisë

13 Prill 2018, 11:33| Përditesimi: 13 Prill 2018, 14:41

  • Share

Komisioni i Sigurisë Kombëtare dëgjoi në një seancë me dyer të mbyllura raportin vjetor 2017 të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave që kontrollon punën e policisë.

“Raporti mbart sekret hetimor, jemi të detyruar për mbledhje me dyer të mbyllura”, tha kryetarja e Komisionit Ermonela Felaj.

Në faqen e SHÇBA-së gjenden të publikuara të gjitha raportet vjetore, nga viti 2010-2016, por për raportin e 2017, mbledhja u zhvilluar pa transparencë.

Edhe pse mbledhja u zhvilluar me dyer të mbyllura, si asnjëherë në raportimin e këtij institucioni, burimet e Report Tv saktësojnë se Trimi ka deklaruar se gjatë vitit 2017 është rritur numri i policëve të proceduar për shkak të shkeljeve.

Kreu i SHÇBA është pyetur nga deputeti Pjerin Ndreu, “nëse ka ardhur koha që informacionet që i vijnë shërbimit të mos përdoren për tu bërë presion policëve, por vetëm provat të jetë ato që mund t’i penalizojnë”, Trimi mësohet të jetë përgjigjur: “Drejt kësaj filozofie po shkojmë. Gjatë vitit 2017 janë regjistruar 6 raste ku vetë oficerë të SHÇBA-së janë gjetur me shkelje të ligjit”.

Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka nisur verifikim për veprimet e policisë gjatë protestës së Kukësit për tarifën në Rrugën e Kombit. Drejtoresha e SHÇBA-së, Anila Trimi e konfirmoi këtë fakt teksa u pyet nga Report Tv, por nuk dha detaje mbi rezultatet e hetimit.

“Ne kemi nisur verifikimet tona dhe kemi kryer inspektim. Do te njoftoheni më vonë mbi vendimin dhe rezultatet”, tha Anila Trimi Drejtore e SHÇBA.

Trimi u pyet për këtë çështje edhe nga deputetët e Sigurisë Kombëtare në një mbledhje me dyer të mbyllura, por burime të Report Tv bëjnë me dije se drejtorja e SHÇBA nuk ka dhënë detaje, duke ju thënë deputetëve se ishte në komision jo për ngjarjet e fundit dhe aktuale, por për ato të vitit 2017.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?