Pas presidentit 24-vjeçar të Gramshit Andrit Bici për dhunë ndaj gjyqtarit, një tjetër 22-vjeçar është vendosur në prangat e policisë për episodet e dhunës në futbollin shqiptar gjatë fundjavës. Xhoni Zhika është personi që goditi me shishe qelqi autobusin e skuadrës së Pogradecit në Librazhd pas ndeshjes tejet të tensionuar në Elbasan.
Duket se pas fillimit të qetë të sezonit, tani kur po hyjnë në fazat e nxehta të kampionatit, rastet e dhunës po përsëriten javë pas jave.
“Pasionet e mëdha, interest e mëdha, se janë qytete të vogla dhe duke qenë klube të vogla shoqërohet me interesa të mëdha sportive. Të tilla episode nuk janë tipike shqiptare dhe janë raste që e shoqërojnë sportin. Nga pasioni i lartë më pas vijnë të tilla situata,”-u shpreh Artan Shyti, ish-zv ministër sporti.
Episodeve të dhunës nuk i ka shpëtuar as Superliga, pasi të shtunën disa tifozë të Tiranës goditën me mjete të forta autobusin e tifozëve kundërshtarë të Teutës. Gjithsesi për këtë nuk ka ende persona të shoqëruar pavarësisht se dy tifozë të Teutës mbetën të lënduar.