Djali i politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiç, është rrahur dje nga rreth 30 persona, teksa po dilte nga shkolla në Llapnasellë të Graçanicës. Sipas policisë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin e Graçanicës. Për këtë rast, deri tash janë arrestuar shtatë të dyshuar.
“Shkolla “Miladin Mitic”, 22.02.2021 – 10:30. Raportohet se ka ndodhur një rrahje masive në oborrin e shkollës, ku janë të përfshirë nxënësit e shkollës dhe disa persona të tjerë. Si pasojë e rrahjes, viktima mashkull kosovar ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Graçanicës. Janë arrestuar shtatë të dyshuar meshkuj kosovarë dhe me vendim të prokurorit të njëjti janë dërguar në paraburgim”, thuhet në raport.
Për rastin është deklaruar edhe Nenad Rashiç dhe e ka lidhur sulmin ndaj djalit me aktivitetin e tij politik.
Ndaj dhunës ka reaguar edhe ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando, i cili ka dënuar sulmin ndaj djalit të politikanit serb në Kosovë.
“I bashkohem dënimit të parezervuar të agresionit të motivuar politikisht kundër të birit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiç, një sulm ndaj vetë demokracisë. Dhuna duhet të kundërshtohet vendosmërisht nga të gjithë dhe të dënohet nga institucionet përkatëse”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndërkohë që drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, i ka reaguar deklarimeve të Rada Trajkoviç, e cila së fundi pati akuza ndaj Listes Serbe por dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për situatën e krijuar me rrahjen e djalit të ish-ministrit Nenad Rashiç.