TIRANË- Kryeministri Edi Rama, ka komentuar incidentin e rëndë të ndodhur disa ditë më parë me ish-ministrin dhe profesorit të njohur shqiptar Petraq Milo, i cili u dhunua nga policët malazez në pikën kufitare. Në fjalën e tij, Rama tha se është lajm i mirë që homologu i tij Dritan Abazoviç, e ndërsa theksoi se "pyll pa derra nuk ka".
“E vetmja arsye që si ka ndodh edhe Dritanit ajo që ka ndodhur me profesorin Petraq Milon, është që njihet nga krifa e luanit dhe nuk e ngatërron njeri. Dua ta falënderoj për faktin që qysh në sekondën e parë të daljes së asaj videoje të shëmtuar, i ka telefonuar profesorit dhe i ka shprehur ndjesën, dhe janë marrë të gjitha masat me personat përgjegjës. Këto janë rastet që mezi presin për të ndezur flakën e nacionalizmit dhe për të kërkuar që ndërpriten marrëdhëniet diplomatiket me fqinjin e radhës. Kjo është arsyeja pse na duhet bashkëpunim pa kufij, jo se çdo popull si çdo pyll do shpëtojë nga derrat e vet ndonjëherë, por sepse sa më shumë hapësira do jetë e përbashkët, aq më pak derrat do mund të ndërhyjnë në marrëdhëniet e vendeve tona”, tha Rama.
Një koment e ka pasur edhe Abazoviç. Ai theksoi se ndihet i keqardhur dhe i ka kërkuar falje personalisht profesorit.
“Më vjen shumë keq që ka ndodh ky incident, i kam kërkuar falje profesorit, janë arrestuar dhe autorët. Nuk kam qejf të politizohet kjo çështje, sepse ka të bëjë me një moment që ka qenë katastrofal, dhe e ftoj profesorin të vij. Mund të them se atë ditë kur ka ndodhur ai incident dhe sot, kalojnë mijëra qytetarë nga kufiri. Përgjegjësit do të dënohen, na vjen keq. Kam marrë informacione se ai nuk e ka prishur radhën, por është munduar të vendosë madje. Më vjen keq”, tha Abazoviç.
Rasti i dhunimit të Milos dhe familjes së tij u bë publik në muajin janar nga mediat shqiptare. Milo u dhunua dhe u nxor me forcë nga policia malazeze teksa po priste në radhë në kufi. Në video shfaqej momenti kur njëri prej policëve kufitarë godiste me shpullë anëtarin e kryesisë së Partisë së Lirisë të cilin më pas tentuan ta nxjerrin me dhunë nga makina. Dhunimi i Milos është filmuar nga anëtarë të familjes së tij të cilët u tronditën nga sjellja e policëve malazezë.