Dhunohet fizikisht punonjësi i AMA-s, reagon Krasniqi: Shkelësit do të marrin dënimin sipas ligjit

11 Prill, 19:41| Përditesimi: 11 Prill, 19:43

  • Share

Një punonjës i grupit të inspektimit të Autoritetit të Mediave Audiovizive është dhunuar sot fizikisht, në zyrat e institucionit, nga përfaqësuesi i një subjekti ISP (Internet Service Provider), i cili ishte ndëshkuar për aktivitet të palicencuar nga AMA.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, e cila në një reagim në profilin e saj, në Facebook ka dënuar rastin. Në reagimin e Krasniqit thuhet se subjekti ISP ishte dënuar sipas ligjit, për shkak të ushtrimit të aktivitetit të palicencuar nga AMA, gjë që ka sjellë edhe ndodhinë e rëndë të dhunimit të një prej punonjësve, për më tepër në krye të detyrës.

Më poshtë reagimi i plotë i kryetares së AMA-s, Armela Krasniqi:

Dënoj me forcë dhunën e ushtruar sot ndaj një punonjësi të AMA-s, në ambjentet e institucionit, nga përfaqësuesi i një subjekti ISP, i ndëshkuar sipas ligjit, për aktivitet të palicencuar nga AMA.

Si burim i shkeljeve më të mëdha ligjore, sidomos transmetimeve pa licence apo piraterisë së përmbajtjeve audiovizive, subjektet ISP janë prej kohësh nën vëzhgimin e  rreptë të ekipeve tona të punës. Çdo rast i paligjshëm është ndëshkuar sipas legjislacionit në fuqi.

Sot, një shkelës i ligjit ka dhunuar fizikisht një prej anëtarëve të ekipit të inspektimit, i cili ishte në krye te detyrës.

Shpreh bindjen dhe besimin se institucionet e rendit dhe drejtësisë do të bëjnë më së miri punën e tyre, për këtë incident të turpshëm dhe të paprecedent.

Rregullimi i tregut audioviziv, ligjshmëria e tij, lufta kundër piraterisë në të gjitha format e shfaqjes së saj, është misioni ynë dhe puna jonë e çdo dite. Prandaj për individë të tillë kam vetëm një mesazh: Çdo shkelës do të marrë dënimin sipas ligjit.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?