ELBASAN- Babë e bir janë arrestuar nga policia e Cërrikut, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale.
Policia ka arrestuar Vathi Kullolli, 45 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij dhe fëmijës së saj të mitur, si dhe i ka kanosur ata për jetën si dhe babain e tij Zyfer Kullolli, pasi iu gjetën në banesë lëndë plasëse, armë dhe municion.
45-vjeçari u arrestua pas kallëzimit të një shtetaseje se ajo dhe fëmija i saj i mitur, dhunoheshin dhe kanoseshin për jetën, nga bashkëjetuesi i saj.
Gjatë këtij operacioni është vënë në pranga dhe babai i 45-vjeçarit, Zyfer Kullolli, 71 vjeç, pasi nga kontrolli në banesën dhe në automjetin e tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar me cilësinë e provës materiale, 2 kallëpe tritoli, 1 armë zjarri pushkë, 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 1 mjet prerës (thikë).
Me qëllim trajtimin e plotë të këtij rasti, kallëzueses dhe fëmijës së saj të mitur iu janë plotësuar kërkesëpaditë për urdhra të mbrojtjes së menjëhershme dhe janë dërguar në qendrën sociale “Forumi i Gruas”, Elbasan, për të marrë asistencën e nevojshme.