TikTok-erja Genta Gjalpi është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pas publikimit në rrjet të një video ku shfaqet duke kryer veprime të dhunshme ndaj vajzës së mitur të partnerit të saj.
Policia njofton se po kryhen veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen G. Gj., 35 vjeçe, pasi në një video të publikuar në një portal, duket se kryen veprime të dhunshme, kundrejt vajzës së mitur të bashkëjetuesit të saj. Po kryhen veprime hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, njofton policia.
Në pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë në market, shihet Genta Gjalpi dhe vajza e vogël pranë kasës së marketit duke bërë pagesën dhe në ato momente Genta e ka kapur vajzën nga flokët.
Më pas, vajza tenton të largohet ndërsa Genta në tentativë për ta kapur për dore rrëzohet, e ndjek duke e tërhequr nga bluza dhe e shtyn për ta nxjerrë jashtë ambienteve të marketit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta, duke e konsideruar sjelljen e saj të papranueshme.
Për ngjarjen ka reaguar edhe nëna e vajzës, e cila shkruan: “Unë jam nëna e fëmijës në video dhe më dridhen duart nga ajo çfarë po shoh këtu. Ky njeri që ngre dorë mbi vajzën time, që ua lë në mirëbesim të atit, do përballet me ligjin!”.
Komente
