Tirane- Gjykata e Apelit lë në qeli Dritan Nanon dhe dhëndrin e tij, Dorian Alia porositësin dhe një nga autorët e dhunës fizike të ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi.
Gjyqtarja Valbona Vata vendosi sot të lërë në fuqi vendimin me nr. 1433 datë 1 qershor 2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim Dritan Nano i cili kërkoi ndryshimin e vendimit vlerësimin e paligjshëm të arrestimit, në lidhje me caktimin masës së sigurimi personal nga “arrest në burg” në një masë sigurimi më të lehtë.
Avokati Sokol Mëngjesi vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve në një nga spitalet e Athinës. Ai doli nga koma, pas 16 ditëve që ndodhej në intubim prej datës 29 Maj 2024, ku edhe u godit brutalisht për shkak të detyrës, nga 4 persona, 3 prej të cilëve janë në kërkim.
Për dhunën ndaj avokatit Mëngjesi deri tani është vënë në pranga Dritan Nano, si organizator i sulmit ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, dhe dhëndri i tij Dorian Alia, një nga agresorët ndaj avokatit.
Gjykata e Tiranës më 1 qershor caktoi masën ‘arrest me burg’ ndaj tyre, për veprën penale ‘plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim dhe kundërshtim dhe goditja e gjyqtarit, kryer në bashkëpunim.’
Tre agresorë Drivaldo Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku janë në kërkim.
Avokati u dhunua mëngjesin e 29 majit 2024 sapo la djalin në kopsht në zonën e ish-bllokut. Dorian Alia 32-vjeç i cili u vetëdorëzua, ka pranuar se porositës i sulmit është Dritan Nano. I riu ka pranuar se dhuna ka ardhur si paralajmërim që avokati 45 vjeçar të tërhiqej nga padia kundër Nanos për të marrë çka i takonte në pronën e fituar me gjyq te kullat e Liqenit.
58-vjeçari Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin sipas kontratës që kishin firmosur, pasi Mëngjesi fitoi gjyqin për pronën e një familje me 8 trashëgimtarë, aty ku sot janë ndërtuar kulla te Diga e Liqenit. Marrëveshja mes palëve (trashëgimtarëve dhe avokatit) është për të përfituar një përqindje të caktuar të pronës së fituar më gjyq, pra jo pagesë, por pjesë e pronës. Nga ana tjetër, Dritan Nano ka mohuar të jetë porositës i ngjarjes duke mos pranuar të bashkëpunojë me hetuesit, edhe pse këta të fundit janë të bindur që ai është organizatori kryesor.