Shtetasit shqiptarë që vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit nga data 21 shkurt, datë që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, do të mund të lexojnë libra në shqip. Nën moton “Dhuro libra”, sepse letërsia shemb muret, mbi të gjitha në burg, Agjencia Kombëtare e Diasporës dhe Qendra e Botimeve për Diasporën, me mbështetjen e ministrit të Shtetit për Diasporën kanë mbledh deri më tani rreth 6000 tituj.
“Në momentet që flasim ka më shumë të burgosur shqiptarë jashtë vendit, se sa brenda vendit. Një nga detyrat specifike të agjencisë është mbrojtja e të drejtave dhe interesave të të gjithë pjesëtarëve të diasporës, ruajtjen e gjuhës amtare dhe këtu sigurisht përfshihen edhe shtetasit që janë në kushtet e heqjes së lirisë. Në fakt dua të përmend se për personat të cilët vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit janë ndërmarrë disa iniciativa: Është firmosur Memorandumi i mirëkuptimit midis Ministrit të Shtetit për Diasporën,Ministrisë së Drejtësisë dhe Kryqit të Kuq Shqiptar, ku në funksion të kësaj çështjeje ka dalë Urdhri i Kryeministrit “Për ngritjen e grupit të punës dhe caktimin e personit përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që vuajnë heqjen e lirisë jashtë vendit, të drejtave të emigrantëve nëpërmjet informimit mbi mundësitë e ndryshme për të apeluar ndaj shkeljeve të të drejtave të tyre, në strukturat e vendeve pritëse si dhe në ato ndërkombëtare” Po ashtu për të shtuar edhe më tej prezencën tonë dhe për të forcuar marrëdhëniet, janë caktuar disa oficerë koordinues pranë posteve konsullore të Republikës së Shqipërisë në Romë, Athinë, Milano dhe Selanik ku gjendet prezenca më e lartë e komuniteteve shqiptare dhe një ndër detyrat kryesore të tyre është pikërisht identifikimi dhe asistimi i shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin me heqje të lirisë në këto vende”, shpjegon Hysi, e cila thekson se:
“Duke qenë se data 21 shkurt i përkon Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Drejtoria e Diasporës ka menduar të realizojë nismën “Dhuro një Libër” për shtetasit shqiptarë që vuajnë dënimin në shtetit grek dhe atij italian. Kjo nismë është propozuar duke mbajtur në vëmendje numrin e lartë të këtyre shtetasve dhe rëndësinë që ka marrë në vitet e fundit trajtimi i të burgosurve, si nga rekomandimet e Bashkimit Evropian, ashtu dhe nga institucionet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, shprehet Sonila Hysi, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Diasporës.
Përpos kësaj nisme, në 85-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, Hysi na rrëfen se është botuar edhe albumi “Kadare dhe Gjirokastra”.
“Albumi është një punë e realizuar me shumë seriozitet, por mbi të gjitha me shumë dëshirë nga Agjencia. Duke qenë se shkrimtari ynë i jashtëzakonshëm kishte 85 vjetorin e lindjes, menduam që ky album do të ishte një dhuratë simbolike dhe e veçantë jo vetëm për shkrimtarin por edhe për institucionet që duan ta njohin atë edhe përmes syrit të artistëve të tjerë. Ky album është realizuar me fotografitë e artistit Roland Tasho dhe me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën. Si e përmenda dhe më parë qëllimi final i punës së agjencisë për bashkëpunimin me diasporën shqiptare, është ruajtja dhe promovimi i vlerave, kulturës, gjuhës dhe traditës shqiptare. Këtë mision shkrimtari i jashtëzakonshëm e ka kryer më mirë se kushdo me artin e tij në gjithë këto vite, duke u shndërruar në promovuesin më të mirë të Shqipërisë në diasporë dhe në arenën ndërkombëtare”, thotë Hysi.
Drejtoresha Hysi përfundon se këto nisma do të vazhdojnë edhe në vijim, pasi misioni i Agjencisë Kombëtare të Diasporës, është thellimi i bashkëpunimit institucional me diasporën shqiptare.
“Duhet të theksoj se, Agjencia Kombëtare e Diasporës, ka si mision të saj zhvillimin dhe thellimin e bashkëpunimit institucional me diasporën shqiptare. Kontributi i saj ofrohet në ruajtjen e trashëgimisë kulturore kombëtare, nxitjen e bashkëpunimit socio-ekonomik, si dhe në marrjen e masave për ruajtjen e marrëdhënieve me shtetasve shqiptarë në diasporë dhe vendit të origjinës. Ndër elementët kryesorë të realizimit të këtij misioni është sigurisht libri, si një produkt që mbetet gjithmonë dhe i kalon çdo brezi. Nëpërmjet librave ne realizojmë një nga objektivat tona më të rëndësishme, që është (lenia e gjurmëve të punës sonë në ndihmë të diasporës shqiptare. Kështu kemi botuar vazhdimisht politikat shtetërore, strategjitë kombëtare për diasporën, të cilat janë ndjekur që në hartimin e masave e deri në realizimin e tyre nga të gjithë institucionet me të cilët koordinojmë dhe bashkëpunojmë. Është një mision i rëndësishëm përçimi i vlerave, kulturës dhe traditës shqiptare, ndaj ne përpiqemi që ta realizojmë me shumë përgjegjësi dhe seriozitet, mbështetur sigurisht në politikat shtetërore që kjo qeveri ka hartuar për diasporën”, përfundon Hysi.