TIRANE - Temperaturta e larta të verës, sjellin jo pak probleme për personat e prekur me diabet. Kjo për faktin se personat me diabet mund te vuajnë dhe nga shqetësime të tjera, duke i bërë kështu më të rrezikuar ndaj temperaturave të larta. Një nga shqetësimet kryesore është dehidratimi i trupit, gjatë periudhës se verës.
Mjeku Florian Toti, në një intervistë për Report Tv, rekomandon që personat e prekur nga diabeti të kenë kujdes gjatë konsumimit të frutave, pasi perdorimi i tyre me tepri mund të ndikojë në përkeqësimin e kësaj sëmundje.
“Ne rekomandojmë që të përdoret uji i thjeshtë ose çaji i malit, që mund të jetë i zier dhe mund të konsumohet edhe i ftohtë për të larguar ndjenjën e etjes. Kurse përsa i takon pjesës së ushqimit, kur themi vera ne direkt mendja na shkon të shalqini apo tek pjepri. Nuk është se janë frutat më të ëmbla në botë, por duhet konsumuar vetëm një racion prej 250-350 gramë shalqi ose pjepër, jo më tepër se kaq, dhe prap ngelet që duhet të konsumohet dy ose tre kokrra fruta në ditë nga personat me diabet”, - tha Toti
Ndër të tjera, mjeku këshillon që personat me diabet të mos ekspozohen shumë në diell, për shkak të efekteve negative që mund të ketë tek ata.
“Nuk rekomandohet që të qëndrojnë gjatë në ambiente me diell, nuk rekomandohet të qëndrojnë të ekspozuar ndaj diellit, sepse lëkura është një organ shumë delikat dhe tek personat me diabet, veçanërisht nëse shifrat e sheqerit janë të larta, kuptohet që lëkura është shumë e predispozuar për të pasur infeksione dhe veçanërisht këshilla tjetër që duhet ti jepet të gjithë personave me diabet që kur janë në plazh në asnjë mënyrë të mos ecin zbathur në rërë. E para njëherë sepse mund të jenë të dëmtuar nervat dhe mund të mos ta ndjejnë djegien që mund të pësojnë nga rëra e nxehtë dhe e dyta ka guacka ka xhama ka mjete të tjera prerëse të cilat mund të dëmtojnë këmbën dhe këto plagë fare të vogla mund të bëhen shkak pastaj për të pasur probleme që kërkojnë trajtim dhe ndjekje të gjatë me qëndrime spitalore”, - u shpreh mjeku
Ajo çka bie në sy është se në periudhën e verës, shtohet numri i të moshuarve me diabet, kjo më së shumti prej dehidratimit.
Diabeti është një sëmundje kronike, për të cilën kujdesi duhet të jetë i njëjtë gjatë gjithë vitit.