Angelo Massafra

Dialogu ndërfetar në Samitin III të Diasporës, Massafra: T’i mbetemi besnikë identitetit tonë dhe të njohim kulturën e tjetrit

22 Nëntor 2023, 14:21| Përditesimi: 22 Nëntor 2023, 14:22

  • Share

Në Samitin e 3-të të Diasporës, të ftuar të ndryshëm ligjëruan mbi temën e marrëdhënieve ndërfetare e ekumenike si dhe dialogun mes kulturave.

Në fjalën e tij imzot Angelo Massafra, Arqipeshkëv Metropolit Shkodë-Pult, President i Konferencës Ipeshkvnore Shqipërisë, falenderoi kryeministrin Edi Rama, për këtë nismë, së bashku me gjithë bashkëpunëtorët.

“Është e vërtetë se fenomenin e ndërrimit të fesë, shqiptarët nuk e pranuan lehtësisht, por për mbijetesë, ashtu siç e thotë një fjalë e urtë latinisht: “primum vivere deinde philosophari” (së pari jeto, pastaj filozofo)”, u shpreh Massafra, në fjalën e tij.

Imzot Massafra, i cili është me origjinë arbëreshe, shtoi se ne si shqiptarë kemi borxhe ndaj Papa Benediktit të 15-të, për dy arsye: sepse ishte papa që themeloi Eparkinë e Lungros në Kalabri, një dioqezë italo-shqiptare ku kryhet riti bizantin, si dhe ishte ai që shpëtoi Shqipërinë nga një copëtim tjetër.

“Në paris, në 1920, fuqitë e mëdha kishin etje e uri për të marrë tokën shqiptare. Delegacioni i Shqipërisë në atë kohë kryesohej nga Imzot Bumçi. Kur e kuptuan se Shqipërisë do i mbetej vetëm zemra, u lobua për të pasur Shqipërinë e sotme”, tha Arqipeshkev Massafra.

Sipas tij nuk ekziston një model i vetëm dialogu ndërfetar dhe për të pasur marrëdhënie të mira ndërfetare nuk duhet të jesh ekstremist, por besnik i identitetit tënd dhe të njohësh edhe identitetin e të tjerëve.

“Duhet të vendosim kryqin në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit, si shembujt që japin martirët e Kishës Katolike, mes të cilëve Giovanni Fausti, jezuit e misionar italian, ndër nismëtarët e dialogut katolik-musliman në Shqipëri. Ai ishte i vetmi italian ndër 38 martirët e vrarë nga komunizmi. Apo At Vinçenc Prennushin, i ndihmuar nga vëllezërit muslimanë të vdiste i qetë në burgun komunist”, tha imzot Massafra duke kujtuar se dialogu dhe kultura duhet të ecin paralelisht, pasi është themelore të njohësh kulturën e një rajoni, e një kombi.

Në përfundim të fjalës së tij, Massafra foli edhe për konfliktin Izrael-Palestinë, ku theksoi se bashkëjetesa në këtë rajon është e arritshme nëse do të udhëhiqen nga parime njerëzore dhe jo nga interesat.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Milanist: 22/11/2023 16:58

    Ky maltezi duhet te kuptoje kombi shqiptar nuk ka fe. Feja e vetme eshte shqiptaria. Individualisht shqiptaret te besojne cfare te duan.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?