Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock

Dialogu për ndryshimet klimatike, thirrje për veprime urgjente për burime të ripërtëritshme energjie

2 Maj 2023, 17:47| Përditesimi: 2 Maj 2023, 17:55

  • Share

Përfaqësues nga rreth 40 vende të botës u mblodhën në kryeqytetin gjerman të martën për Dialogun e Klimës. Takimi dyditor është një hap kyç negociues në prag të konferencës ndërkombëtare të klimës të këtij viti në Dubai, e njohur si COP28.

Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock bëri thirrje për një objektiv global për zgjerimin e energjive të ripërtëritshme. Ajo tha se G7 ka përcaktuar tashmë objektiva të tillë, por se duhet të ketë synime të detyrueshme në shkallë globale për zgjerimin e prodhimit të energjisë nga era dhe dielli.

“Transformimi në shkallë globale nuk është kyç vetëm për të luftuar kërcënimin më të madh të sigurisë të këtij shekulli. Energjitë e ripërtëritshme janë gjithashtu thelbësore për më shumë drejtësi në mbarë botën dhe transformimi global është në lëvizje të plotë. Në shumicën e vendeve të botës, energjia e ripërtëritshme është tashmë forma e prodhimit të energjisë më e qëndrueshme ekonomikisht", tha ministrja e jashtme gjermane.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse që në konferencën e klimës COP28 në fund të vitit në Dubai, të garantojnë fonde për pasojat e ndryshimeve globale.

"Mos harroni një fakt të thjeshtë: fondet për rimëkëmbjen nga dëmet e shkaktuara, kanë të bëjnë me shpëtim jetësh. Mos lejoni që marrëveshja historike e arritur me COP27-ën ta humbë vlerën. Ne e dimë të vërtetën për klimën. Ju lutemi veproni tani”, tha ai.

Dr. Sultan Al Jaber, përfaqësues i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe presidenti i emëruar i COP28 që do të zhvillohet atje, bëri thirrje për bashkim të botës për planetin dhe për një zhvillim të qëndrueshëm.

Ai u kërkoi donatorëve të përmbushin një premtim prej 100 miliardë dollarësh për vendet në zhvillim.

"Pritshmëritë janë të larta. Besimi është i ulët. Kjo po pengon përparimin dhe unë u kërkoj vendeve dhuruese që të japin një vlerësim përfundimtar mbi përmbushjen e këtij angazhimi përpara COP28-ës," tha ai.

Ndër vendet pjesëmarrëse në Dialogun e Klimës janë Shtetet e Bashkuara, Kina, India dhe Brazili.

Grupet ambjentaliste janë të shqetësuara se vende si SHBA dhe Emiratet e Bashkuara Arabe ku do të mbahet COP28 mbështesin idenë e eliminimit të dioksidit të karbonit si një mjet për të lejuar vazhdimin e ndoshta edhe zgjerimin e nxjerrjes së naftës dhe gazit. VOA

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?