Aplikimet e shqiptarëve të diasporës po rriten çdo ditë. Fundjava sjell një fluks më të lartë kërkesash, duke prodhuar shifra të larta.Deri tani, KQZ ka shqyrtuar më shumë se 112 mijë aplikime, por ka pranuar vetëm 70 mijë individë. Paralelisht, mbi 41 mijë raste janë refuzuar, pasi nuk kanë provuar si duhet adresën e tyre të banimit në emigracion.
KQZ ka në dispozicion 5 milionë euro të llogaritura për të përballuar kostot e postës vajte-ardhje për 100 mijë zarfe me fletë votimi. Por tenderi akoma nuk po hapet, sepse komisioni pret që Kuvendi të miratojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, që e lejojnë KQZ-në të paguajë të gjitha kostot e postës.
Ligji në fuqi ngarkon votuesin me pagesën e postës për kthimin e votës në Shqipëri. Edhe pse PS dhe PD e arritën një dakordësi në zyrën e Ilirjan Celibashit, rrugës ndasitë mes palëve u forcuan duke rrezikuar marrëveshjen, e cila kërkon 84 vota për tu miratuar në Kuvend.
Mazhoranca dhe opozita depozituan amendamente të ndryshme për Kodin Zgjedhor, por edhe pse ato datojnë që në 21 janar, asnjë hap nuk është ndërmarrë për tu shqyrtuar në organet e Kuvendit. Shkak parë ndasitë mes palëve, është bërë pretendimi i PD-së, që të lejohen të votojnë edhe ata shqiptarë jashtë atdheut, që nuk kanë asnjë dokument identifikues shqiptar, por që kanë një dokument biometrik të huaj, kërkesë e cila është refuzuar që në fillim prej socialistëve.