Të gjitha zarfet me fletë votimi që nuk do të shpërndahen dot tek zgjedhësit brenda ditës së enjte, do të kthehen mbrapsht në KQZ. Deri më tani rezultojnë edhe 20 mijë pako që akoma nuk janë në duart e votuesve në diasporë, nga 245 mijë emigrantë që u regjistruan në total.
Përjashtim nga ky afat, do të ketë vetëm Greqia, e cila, për shkak të problemeve të mëdha dhe afërsisë gjeografike, do të ketë një shans për të shpërndarë zarfet deri të premten për qytetet e mëdha, si Athina apo Selaniku.
Për Greqinë veriore, qytete si Janina apo Larisa, do të jetë një mundësi e fundit edhe të shtunën në drekë. Kështu ndryshe nga ana tjetër e botës, DHL mund të përdorë transport tokësor, për të futur në doganën shqiptare fletët e votimit, brenda afatit të së dielës, në orën 19:00 kur mbyllet edhe procesi i votimit në Shqipëri.
Këtë të mërkurë në KQZ erdhën 13 600 vota, duke e çuar në 157 mijë numrin e votave të mbërritura tashmë në Shqipëri. Në këto ditë dhe orë të fundit, qytetarët mund të shkojnë të votojnë direkt në pikat e zyrave më të afërta postare, pa e pritur zarfin në banesë e pa thërritur korrierin për ta tërhequr pas.
Gati gjysma e tyre, 6 mijë zarfe kanë ardhur nga Greqia, por akoma votat e kthyera nga shteti helen janë shumë më pak se ato që kanë ardhur nga vendet e tjera.
“Jemi në një situatë ku është vërtetë inkurajuese pjesëmarrja e lartë në krahasim me një sërë vendesh të tjera, por si hera e parë duhet të jetë shumë më e lartë dhe kështu do t’iu thosha shqiptarëve të Italisë, që janë në krye të të gjithëve me 74% forca. Janë edhe 21 mijë zarfe të pa dorëzuar. Do t’u thosha shqiptarëve të Greqisë që janë më pas të gjithëve, jo për fajin e tyre, por konfuzionin e krijuar nga kompania në ditët e para 39% forca, forca. Janë edhe 36 mijë zarfe të pa dorëzuar por ama ka akoma kohë dhe mos prisni që të vijnë t’ua marrin por kthejeni mbrapsht në pikën postare të DHL. Nga Gjermania janë 72 për qind, por ende 7 mijë pa dorëzuar.”, tha Rama.
Nga ana tjetër, PD kërkon hetim të thelluar dhe një auditim të shërbimit postar në dy shtetet kryesore, Itali dhe Greqi. Madje demokratët kanë dorëzuar në KQZ, edhe një raport të zgjeruar mbi problemet.
“Ajo që po ndodh në Greqi është një kapitull i një krimi zgjedhor, manipulimi politik i votave që po ndodh atje. Shkuarja për të tërhequr pa identifikim për të marrë zarfin, apo për të dorëzuar zarfet, faktikisht e bën të pavlefshme votën që është marrë në mënyrë jashtëligjore. Pra, këto raste janë krime zgjedhore dhe janë një manipulim i procesit zgjedhor”, tha Jozefina Topalli.
Shqetësimit të opozitës i dha zë edhe Partia e Lirisë.
“Qeveria ka mashtruar serish. Premtuan votë për diasporën, por në prapaskenë kanë ndërtuar barriera, pengesa dhe një rrjet manipulimi që t’i heshtin ata që nuk i kontrollojnë dot. Sepse ata e dinë: diaspora nuk shitet, nuk frikësohet dhe nuk komandohet”, u shpreh Arla Merja, zëdhënëse Fushata e PL
68 mijë votues në të gjithë diasporën, e kanë marrë fletën e votimit, por nuk e kanë kthyer ende.
Nga Greqia presim edhe 38 mijë vota, nga të cilat 10 mijë janë zarfe që nuk i kanë marrë votuesit, dhe 28 mijë janë raste kur qytetari e ka marrë fletën e votimit, por nuk e ka kthyer.
Fluturimi i fundit me vota nga diaspora, do të jetë të dielën në orën 17:00. Në çdo rast, çdo votë që do të hyjë në një pikë doganore të Shqipërisë, deri në orën 19:00, do të pranohet.
Komente
