Londër- Drejtuesi i Partisë Socialiste për Diasporën, njëkohësisht ministri për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ka zhvilluar një tur takimesh në Britaninë e Madhe.
Gjatë takimit, Taulant Balla foli edhe për përpjekjet e qeverisë shqiptare në bashkëpunim me qeverinë britanike për të lehtësuar procesin e emigrimit të ligjshëm. Ai përmendi faktin se tashmë në Kukës është hapur një shërbim konsullor britanik, ku qytetarët shqiptarë mund të aplikojnë për viza pune për Mbretërinë e Bashkuar.
“Nuk duhet të ekzistojë më emigrimi i paligjshëm, por përmes kontratave të punës, shqiptarët mund të vijnë dhe të punojnë në mënyrë të rregullt,” – u shpreh Balla.
Ai gjithashtu shtoi se gjatë vizitës së pritshme të Kryeministrit të Britanisë, Keir Starmer, në Tiranë në mes të majit, do të diskutohet një nivel i ri bashkëpunimi për lehtësimin e mëtejshëm të vizave të punës, turistike dhe familjare për shqiptarët.
Ai u takua edhe me sipërmarrës shqiptarë në Londër në kuadër edhe të votës së diasporës për zgjedhjet e 11 majit, ku vlerësoi kontributin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar, duke veçuar rastin e Ermal Karakushit, një ndër biznesmenët më të suksesshëm në sektorin e ndërtimit.
Karakushi, i cili drejton kompaninë "Hasi Group", ka mbi gjysmën e forcës punëtore shqiptare të punësuar në projekte të ndryshme ndërtimi. Ai jeton në Britani që prej vitit 1999 dhe është i njohur për përfshirjen e bashkatdhetarëve në biznesin e tij.
“Këtë kontratë e kisha për 16 muaj, por besoj se do ta përfundoj më shpejt”, tregon Karakushi, duke i rrëfyer Ballës një nga kantieret e tij në Londër.
Balla përgëzoi të gjithë sipërmarrësit shqiptarë në Britani për punën e ndershme dhe suksesin e tyre, duke theksuar se ata janë shembull i integrimit të suksesshëm.
“Ju jeni shqiptarët e vërtetë që erdhët këtu me vështirësi dhe sot jeni sipërmarrës të suksesshëm. Jemi krenarë që në një nga zonat më të shtrenjta të Londrës, një kompani shqiptare si Hasi Group merr kontrata të rëndësishme dhe nuk harron asnjëherë bashkatdhetarët e vet”, tha ai.
Përfaqësuesit e diasporës shprehën mirënjohjen për mbështetjen dhe angazhimin institucional në drejtim të forcimit të lidhjeve mes komunitetit shqiptar në Britani dhe atdheut të tyre.
Komente
