Politikë

 ‘Diaspora dhe gratë do të bëjnë ndryshimin’, Topalli: Ato s’pranojnë që baballarëve të fëmijëve t’u thonë çyryk

30 Prill, 13:02| Përditesimi: 30 Prill, 13:34

  • Share

E deleguara politike për diasporën, Jozefina Topalli në një konferencë për mediat tha se diaspora dhe gratë do të bëjnë ndryshimin në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Topalli komentoi edhe deklaratat e Ramës, kur thotë se burrat që votojnë kënetën janë politikisht “çyryk”.

Sipas Topallit, gratë nuk pranojnë kurrë që baballarëve të fëmijëve të tyre t’u thonë qeros apo çyryk.

“Shfrytëzoj rastin për t’i bërë thirrje kësaj qeverie që të marrë përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet e saj ligjore dhe logjistike. Shkelja e afateve dhe standardeve të përcaktuara me ligj është një kërcënim serioz ndaj votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe, në këtë mënyrë, cënon rëndë integritetin e këtyre zgjedhjeve.

Por, duke thënë këtë, në të njëjtën kohë dua të përsëris mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë shqiptarët që, në mënyrë masive, po votojnë, po sakrifikojnë dhe po sfidojnë vështirësitë, edhe pse nuk e kishin për detyrim. Me votën e tyre, me zarfin që e dërgojnë në Shqipëri, ata duket se do të përmbysin regjimin që i përjashtoi, që i dëboi nga vendi i tyre.

Janë dy momente kyçe që do të bëjnë ndryshimin e madh, diaspora e para dhe e dyta gratë të cilat nuk pranojnë kurrë që baballarëve të fëmijëve të tyre t’u thonë qeros, çyryk se i bie që fëmijët e tyre për shkak të ADN të jenë të tillë, ne e shohim me pozitivitet votimin që po ndodh kudo në botë, është një moment historik.

Ne e shohim me pozitivitet këtë proces votimi që po ndodh kudo nëpër botë. Kjo kërkon mirënjohje. Kjo është një ngjarje historike. Shqiptarët po votojnë në një akt të fortë drejtësie, në një akt historik për t’iu kundërvënë dëbimit që u është bërë për vite me radhë, më shumë se një milion shqiptarëve, jo thjesht si emigrim ekonomik, por si një proces që ka marrë përmasa të një spastrimi etnik.

Nëse nuk ndalojmë këtë fenomen të dëbimit dhe largimit të shqiptarëve, shumë shpejt do të shndërrohemi në një vend azili për të moshuar, ndër më të vetmuarit në botë. Ne, shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe ata jashtë saj, nuk duhet dhe nuk do të lejojmë kurrë që të humbasim vendin dhe kombin tonë për shkak të interesave të ngushta, arrogancës apo frikës së dikujt që kërkon vetëm të mbajë pushtetin”, u shpreh Topalli.


Lajmi kryesor:

Vota e diasporës/ PD denoncon problemet: Kompania po shkel standardet, KQZ të marrë masa! Topalli-emigrantëve: Merreni zarfin vetë në postë, sakrifikoni


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Kontrata e lobimit të PD, besoni se SPAK do zbulojë burimin e financimit?