Tiranë- Emigrantët të cilët kanë bërë një kërkesë për t’u regjistruar në zgjedhjet e 11 majit, por nuk e gjejnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve nga jashtë, do të mund të ankohen deri më 11 prill (30 ditë para zgjedhjeve), në portalin e dedikuar enkas për ta në KLGJ.
Sipas detyrimeve të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka ngritur me një vendim të 6 marsit një platformë elektronike për të gjithë zgjedhësit nga diaspora, që nuk gjejnë emrin në listat e votimit.
Kërkesat e zgjedhësve për të votuar do të dërgohen në adresën [email protected], e më pas brenda 48 orësh Gjykata e Tiranës duhet t'i marrë në shqyrtim.
“Kur zgjedhësi që ka paraqitur kërkesë në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë vëren se nuk është i regjistruar në këtë listë, ose regjistrimi i tij ka pasaktësi, ai ka të drejtë të paraqesë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë deri 30 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Kërkesa mund të paraqitet edhe online nëpërmjet një platforme elektronike të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Kërkesa sipas kësaj pike përjashtohet nga taksa gjyqësore. Gjykata shqyrton dhe vendos për kërkesën, sipas kësaj pike, nëpërmjet kësaj platforme brenda 48 orëve nga data e regjistrimit të kërkesës.
Emrit dhe të dhënave të tjera të zgjedhësit, që i shtohen listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, i bashkëngjitet vendimi i Gjykatës”, thotë kodi zgjedhor në nenin 25, ku parashikohen rregullat për listën e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Sipas listës paraprake të KQZ-së për emigrantët që do të votojnë më 11 maj, numri i të regjistruarve zyrtarisht në listën e zgjedhësve nga jashtë është 245,808 persona.
Komente
