100 vite jetë që e përballën me luftën dhe paqen, gëzimin dhe dhimbjen, por pa u ndalur kurrë në përpjekjet për të jetuar me punë. Kjo është historia e Tushe Danit, gruas shekullore që ende nuk i ndahet punës.
***
Tushe Dani, edhe pse jo me forcën që ia impononte dikur nevoja për të rritur fëmijët jetimë, edhe sot, kur ka mbushur një shekull jetë, nuk ndalet në ritualet e saj të përditshme.
Puna me tokën është dashuria e saj që nuk u shua kurrë, teksa jeta i ngjan rrjedhës së një lumi, që siç thotë ajo, e ka bërë të përplaset me luftën e paqen, varfërinë dhe mirëqenien, lindjen dhe vdekjen, por pa u dorëzuar kurrë, as tani, kur trupi nuk i përgjigjet më si dikur.
“Kam punuar shumë, por uji, ajri i pastër dhe katundi janë të mira për pleqtë. Kujtoj luftën me gjermanët, me serbët. Kemi pas dalë e kemi shkuar në mal nga lufta. Jeta është leku, ke lek, ke jetë”, thotë Tushe Dani.
Nëna Tushe thotë se po përjeton edhe këtë kohë, kur të moshuarit po mbeten gjithnjë e më të vetmuar.
“Pleqtë tani kanë mbetur vetëm. Të rinjtë kanë ikur në emigracion dhe të moshuarit nuk munden as të pinë një kafe bashkë. Kështu erdhi koha tani”.
Nga dymbëdhjetë fëmijë që lindi nëna Tushe, shtatë jetojnë. Njëri prej tyre, 75-vjeçari Besnik Dani, tregon disa nga ritualet e përditshme të nënës shekullore.
“Nëna çohet në mëngjes, pi kafe, qumësht dhe një dopio raki. Rreth orës 10:00 ushqehet, po ashtu edhe në orën 14:00. Ajo që të bën përshtypje është fakti se ushqimin nuk e ha kurrë atë të natës së kaluar”.
Tushe Dani është dëshmi se jeta nuk matet vetëm me kohën, por me dashurinë, durimin dhe mençurinë që lë pas.
Komente
