Dibër- Policia e Dibrës referoi për hetim në SPAK Xhemal Gjunkshin, kandidatin për deputet të PD në këtë qark.
Sipas policisë, ai dhe 3 mbështetës demokratë, bllokuan një automjet në qendër të Maqellarës para shtabit elektoral të PS me akuzat se po bliheshin vota për socialistët.
Kandidati i koalicionit të Sali Berishës, PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, u referua për hetim në SPAK, për veprat penale “Vetëgjyqësi” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, bashkë me tre mbështetësit demokratë A.K 29 vjeç; H.H 48 vjeç; dhe E.Gj 33 vjeç.
Sipas policisë, mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:15, vetë kandidati Xhemal Gjunkshi telefonoi sallën operative të drejtorisë së Dibrës duke raportuar se në Maqellarë përfaqësues të Partisë Socialiste dyshohet se u shpërndanin banorëve të kësaj njësie shuma parash në këmbim të votave.
Pas telefonatës, aty mbërriti një grup i posaçëm hetimor i Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit u kryen të gjitha veprimet e duhura hetimore, njofton policia.
Burime nga policia thonë se automjeti i ndaluar, një 'Range Rover', i përket biznesmenit Fiqiri Pali, të cilin kandidati dhe simpatizantët e PD-së e ndaluan dhe për disa orë nuk e lejuan të largohet pa mbërritur policia.
Burime nga policia e Dibrës thonë se biznesmenit iu gjet një vlerë monetare në automjet, rreth 4 mijë euro, që siç mësohet se dëshmoi, i përkasin atij dhe se nuk ka lidhje me blerjen e votave për asnjë subjekt të caktuar politik.
Mbi pretendimin e demokratëve për blerje votash, policia referoi materialet procedurale edhe për veprën penale korrupsion aktiv në zgjedhje ndaj biznesmenit Fiqiri Pali, 57 vjeç dhe personit tjetër që ishte në automjet me të, Hekuran Maleçka, 54 vjeç. Tashmë i takon SPAK-ut të vlerësojë këto materiale, nëse do të nisë hetimin apo nëse do ia delegojë prokurorisë së Dibrës nëse nuk ka prova për korrupsion zgjedhor.
Kujtojmë se Xhemal Gjunkshi, është ish-gjenerali që ka firmosur finalizimin e tjetërsimit të pronave të Kompleksit Partizani te dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, ku u ndërtuan komplekse pallatesh me vlerë miliona dollarë.
SPAK hetoi veprimet antiligjore dhe ngriti çështjen për aferën "Partizani", që tani ndodhet në GJKKO në seancë paraprake, teksa Berisha është marrë i pandehur bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë.
Njoftimi i Policisë Dibër:
"Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.
Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç.
Në vijim të hetimeve të kryera lidhur me ngjarjen e datës 09.05.2025, në Maqellarë, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", në ngarkim të shtetasve H.M., 54 vjeç; dhe F.P., 57 vjeç".
Komente

Unë i shkreti prej katuni nuk ekuptoj hiç këtë blerjen e votave, një e blen me lekë e tjetri e blen me rrena. Çfare ndryshimi ka?
Përgjigju