Dibër- Nuk informoi strukturat e Policisë për prerjen e paligjshme të pyjeve në fshatin Kacni të Dibrës, merret nën hetim Përgjegjësi i Sektorit të Strukturës Kontrolluese-Inspektuese në Bashki.
Komisariati njoftoi sot (6 Shtator) se referoi materialet në Prokurori për veprën penale "shpërdorimi i detyrës", në ngarkim të zyrtarit vendor me inicialet G.S., 62 vjeç, banues në Njësinë Administrative Tomin.
Në cilësinë e përgjegjësit të sektorit për inspektimet në Bashkinë Dibër, dyshohet se ka lënë qëllimisht aktivitetin e prerjes së pyjeve në zonë.
“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ka pasur dijeni për aktivitetin e paligjshëm të prerjes së pyjeve që kryhej në vendin e quajtur "Liqeni i Bataçes", në fshatin Kacni, por nuk ka ushtruar kompetencat ligjore që ligji e ngarkon me përgjegjësi dhe nuk ka informuar strukturat e Policisë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjithashtu theksohet se po vijojnë hetimet bashkë me Prokurorinë, për të zbuluar personat e tjerë që janë përfshirë në aktivitetin e paligjshëm dhe dëmtimin e mjedisit, identifikuar dhe kapur të dyshuarit.
Por ky nuk është rasti i vetëm, pasi më13 Gusht, Policia e Dibrës referoi materialet në Prokurori për veprën penale "shpërdorimi i detyrës", edhe për zyrtarin H.K., 58 vjeç, banues në fshatin Selishtë, po për lejimin e prerjes së pyjeve në këtë zonë atraktive turistike.
Në momentin e procedimit, i dyshuari mbante detyrën e Inspektorin e Drejtorisë së Bujqësisë, Administrimit të Ujërave dhe Kullotave në Bashkinë Dibër.