Nga Dibra mbrëmë u raportua një incident me zgjedhjet, ku kandidati për deputet i PD, Xhemal Gjunkshi dhe djali i tij Edis Gjunkshi bllokuan tre makina me pretendimin se po shpërndanin para në këmbim të votës për PS në fshatin Pilafe.
Ata kanë telefonuar policinë, ku përpos pretendimit për blerje votash, shtojnë edhe se një efektiv me emrin Esaj Gjura (babai i një kandidati socialist për deputet) ka qëlluar me armë në distancë nga vendi ku ka ndodhur incidenti.
Policia e Dibrës bëri me dije se pas verifikimeve nuk ka rezultuar ndonjë indicie për përdorimin e armës, megjithatë efektivit iu sekuestrua arma e shërbimit.Procedohen kandidati Gjunkshi dhe i biri, Edis Gjunkshi.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme ku shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), telefonoi sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër duke pretenduar se në fshatin Pilafe, njësia Administrative Tomin, kishte ndaluar shtetasin E.C., që dyshohej se shpërndante para në këmbim të votave, ju informojmë se;
Menjëherë me marrjen e telefonatës, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe drejtuesit e DVP dhe të Komisariatit Dibër.
Nën drejtimin e Prokurorit të Posaçëm, Prokurorit të Rrethit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, kanë vijuar veprimet për menaxhimin, ndjekjen dhe hetimin e plotë të situatës.
Në vendin e ngjarjes, janë konstatuar të bllokuara nga kandidati për deputet shtetasi Xh.Gj., shtetasi E.Gj., dhe persona të tjerë, automjetet e shtetasve I.C., dhe R.D.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorëve, ka bërë këqyrjen e këtyre automjeteve ku nuk është konstatuar asgjë me interes për hetimin.
Në vijim të dyshimeve për automjete që shpërndanin vlera monetare, shtetasi E.M., dhe A.H(Gj), i janë vënë në ndjekje një automjeti tjetër që drejtohej nga shtetasi I.Sh., nga ku është dëmtuar automjeti i shtetasit E.M.
Gjithashtu, shtetasi Xh.Gj., ka shprehur pretendimin se ka qenë dhe punonjësi i policisë, shtetasi E.Gj (i ati i kandidatit për deputet të subjektit politik Partia Socialiste shtetasi D.Gj) që po përpiqej të shpërndante para në shkëmbim të votës dhe pasi janë vënë në ndjekje simpatizantët e subjektit politik të Partisë Demokratike, ai është larguar dhe ka qëlluar në ajër me armë zjarri.
Në lidhje me këtë pretendim, grupi hetimor nën drejtimin Prokurorëve, ka realizuar këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe nuk janë gjetur gëzhoja apo indicje të tjera se ky punonjës ka përdorur armën.
Në lidhje me rastin, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit punonjësi i policisë shtetasi E.GJ, ku nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore i është sekuestruar arma shërbimit dhe janë kryer një sërë veprimesh të tjera hetimore.
Sa më sipër, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër për kompetencë dhe për vlerësim, kanë referuar materialet pranë SPAK, për veprat penale “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, parashikuar nga nenet 277 dhe 293 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve Xh.Gj., 62 vjeç, dhe E.Gj., 33 vjeç, si dhe për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit I.Sh., 35 vjeç
lajm në përditësim...
Komente
