Dibër- Gjykata e Dibrës zbut masat dhe liron me kërkesë të Prokurorisë 4 të arrestuarit për aksidentin me vdekje të ndodhur në minierën e Bulqizës më 7 gusht, ku humbi jetën minatori Fari Veliu, 66 vjeç, i punësuar nga kompania minerare “Gerti sh.p.k”.
Ferit Truka, 61 vjeç, dhe Besnik Çupi, 68 vjeç u lanë për hetim në gjendje të lirë, kurse Ervis Kadiu, 35 vjeç dhe Edmond Xhafa, 51 vjeç, u lanë në masat “arrest shtëpie”.
Të katër janë punonjës të stafit teknik të kompanisë minerare, që dyshohen për veprën penale të “shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ata duhet të kishin marrë masat e sigurisë që minatori Veliu mos të goditej nga masivi i mineralit në galeri gjatë aksidentit.
Prokuroria kërkoi vlerësimin të ligjshëm të arrestimeve, por gjithashtu edhe zbutjen e masave pas arrestimit nga Policia e Dibrës dy ditë më parë.
Policia njoftoi se kishte arrestuar edhe 46-vjeçarin Njazi Përkola, gjithashtu pjesë e stafit teknik, por masa ndaj tij nuk është zhvilluar ditën e sotme dhe nuk ka njoftim për të.
Gjykata zhvilloi seancë me dyer të mbyllura dhe dha vendimin lidhur me çështjen penale Nr. 63, e regjistruar më 8 gusht, për vlerësim të ligjshëm të arrestit ndaj 4 të të dyshuarve.
Policia njoftoi dje se ishin arrestuar 5 punonjës të kompanisë minerare "Gerti Sh.p.k,", ku ishte i punësuar 66-vjeçari Fari Veliu, i cili humbi jetën ditën e djeshme në një minierë kromi në Bulqizë, si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor.
"Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar", njoftoi policia.
Ngjarja ka ndodhur në subjektin minerar "Gerti shpk", me aksioner të vetëm Jeton Danin, ku edhe më herët kanë ndodhur aksidente në punë.
Komente

Ketu nuk mban njeri pergjegjesi pikerisht nga vendime te tilla qe bijen ere korupsion dhe papergjegjshmeri. Shteti ligjor ketu ka ikur ne drejtim te paditur. Nese nuk do kishin faj atehere policia ka bere show per te fshehhr pergjegjesit kryesor.
Përgjigju