Dibër- Gjykata e Dibrës la në masën “arrest me burg” Hazbi Velsulën ditën e sotme (13 qershor), në një seancë me dyer të mbyllura, ku i riu vendosi që të ‘kyçte’ gojën.
I dyshuar për vrasjen e kushëririt të tij, 65-vjeçarit Selim Velsula pasditen e 11 qershorit në Klos, 31-vjeçari i arrestuar pak orë pas krimit, teksa ndodhej i fshehur në Tiranë, nuk ka dhënë ende asnjë motiv për vrasjen.
Rreth orës 15:30, Gjykata vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë për të mbajtur në arrest me burg 31-vjeçarin Hazbi Velsula, deri në përfundim të hetimeve.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 31-vjeçari nuk ka rrëfyer ende asnjë motiv të vrasjes, ndërsa ka kërkuar prani të avokatit mbrojtës. Megjithatë, Hazbi Velsula ka dalë para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë si i vetmi i dyshuar për vrasjen e 65-vjeçarit Selim Velsula.
Në orët e pasdites së 11 qershorit, 65-vjeçari Selim Velsula u gjet i pajetë nga një bashkëfshatar i tij pak metra larg banesës, në zonën e Xibrit. Ai u konstatua me plagë në trup të shkaktuara nga një mjet prerës.
Vetëm pak orë pas krimit, policia arriti të arrestojë 31-vjeçarin Hazbi Velsula në Allias të Tiranës, si autor të vetëm të dyshuar të vrasjes së 65-vjeçarit. Pista e dyshuar mbeten konfliktet e pronësisë, por ende nuk ka një konkluzion përfundimtar.
Komente
