Energjia e një muzikali dhe gjallëria e stand-up komedisë janë bërë bashkë në performancën teatrore të sjellë në Tiranë nga artistët e “Maestrale Teatro”.
“Diçka e madhe. Përmbledhja e brezit millennial” ka në qendër të kujtesës së saj muzikore albumin “…Squèrez?” të grupit Lùnapop, i cili shndërrohet në simbol të një epoke dhe të paplotësisë së saj. Kënga “50 Special”, që feston 25-vjetorin, rikthen emocionet e një gjenerate që ka jetuar në kufirin mes dy mijëvjeçarëve, plot shpresa, por edhe zhgënjime.
Me byzylykë shumëngjyrësh, atlete Converse në këmbë dhe një qëndrim prej “djemsh e vajzash të përjetshëm”, protagonistët ndërtojnë një urë kohore mes të shkuarës dhe të tashmes, duke ofruar një reflektim mbi kuptimin e rritjes në një botë që ndryshon vazhdimisht.
Në skenë u ngjitën aktore e aktorë të rinj të diplomuar në Akademinë Mesdhetare të Aktorit: Lorenzo Paladini, Miriana Moschetti, Arianna Alfarano, Francesco Casaburi dhe Samuele Spagnolo.
Shfaqja është produksion i kësaj Akademia, të themeluar 10 vjet më parë në Leçe e që synon të ofrojë një zgjidhje për të rinjtë që duan të bëhen aktorë.
“Në rajonin tonë nuk ka pasur kurrë një akademi teatri, kështu që e krijuam pikërisht për të parandaluar që të rinjtë të largohen nga rajoni ynë. Jemi veçanërisht të lumtur që jemi këtu me këtë shfaqje, e cila u vu në skenë nga kompania Maestrale Teatro, një kompani e përbërë nga të rinj që janë diplomuar në Akademinë Mesdhetare të Aktorëve. Është shfaqja e tyre e parë si aktorë profesionistë, dhe është një shfaqje shumë interesante sepse flet për brezin e mijëvjeçarit, dhe për këtë arsye një temë që është shumë e dashur për ta, shumë afër zemrave të tyre.”, - thotë për “Report TV”, Franco Ungaro, drejtor i “Accademia Mediterranea dell’Attore”.
Shfaqja në Tiranë është e para e një turneu që “Maestrale Teatro” po bën në Ballkan, ku ata kanë qenë një vit më parë në Kosovë e Serbi.
Lorenzo Paladini, një nga aktorët e shfaqjes tregon se vetë ata kërkuan që shfaqja të drejtohej nga dy regjisorët Maria Cassi dhe Leonardo Brizzi, duke i cilësuar ata mjeshtra të komedisë muzikore
“Ishte ideja jonë të vinim në skenë një shfaqje që ishte një kombinim i stand-up komedisë, një lloj performance shumë e afërt me brezin tonë, por edhe muzikore, sepse ne jemi muzikantë, këngëtarë, kështu që donim t'i vinim në lojë këto aftësi. Kjo shfaqje është paksa një hibrid midis një shfaqjeje klasike teatri, komedisë stand-up dhe një muzikali. Nuk është komedia klasike, ku aktorët flasin me njëri-tjetrin. Rezultati ishte një shfaqje shumë e freskët, shumë rinore, madje inovative për disa, me shumë humor dhe mbi të gjitha ndërkombëtare, sepse llojet e komedisë që kemi janë të vlefshme në të gjithë botën; nuk është e fokusuar, le të themi, vetëm te fjalët.”, - shprehet aktori i “Maestrale Teatro”, Lorenzo Paladini.
Aktorët shprehen shumë të lumtur që shfaqja e tyre u mirëprit në Shqipëri, një vend me të cilin ndihen shumë afër, veçanërisht sepse e gjithë trupa përbëhet nga artistë nga Puglia.
Turneu i nisur më 30 shtator në Teatrin Kombëtar Eksperimental të Tiranës do të vijojë më 3 tetor në Beograd, më 5 tetor në Mal të Zi dhe do të mbyllet me shfaqjen e fundit më 31 tetor me shfaqje në Maqedoninë e Veriut, në kuadër të Stobi Festival.
Turneu promovohet në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Beograd e Tiranë, Puglia Culture dhe Rajonin e Pulias.
Komente
