Nelson Dida, ish-portieri legjendar i Milanit dhe kombëtares së Brazilit, ka shprehur besimin e plotë te trajneri Carlo Ancelotti, i cili mori drejtimin e ‘Seleçaos’ pas përfundimit të kontratës me Real Madridin.
“Ancelotti? Ne të gjithë e njohim, ai është një trajner i shkëlqyer dhe me të vërtetë mund të bëjë shumë për Brazilin. Ka nisur mirë, pa pësuar gol në dy ndeshjet e para. Tani që kualifikimi është arkivuar, ka kohë të përgatitet mirë për Kupën e Botës”, u shpreh Dida gjatë një interviste për mediat italiane.
Braziliani komentoi gjithashtu për emra të tjerë të njohur të stolit dhe portës, si Massimiliano Allegri dhe Mike Maignan.
“Allegri? Është një trajner tjetër i shkëlqyer, ka fituar me Milanin dhe e njeh mirë mjedisin. E di që kur je te Milani, gjithmonë luan për të fituar”, theksoi ai.
Në lidhje me portierin aktual të kuqezinjve, Dida u shpreh:
“Maignan është një portier i shkëlqyer. Nëse qëndron, mund të jetë vërtet një pikë referimi për kursin e ri të Milanit.”
Pa harruar as 'ish-nxënësin' e tij, Gianluigi Donnarumma, Dida tha: “Gjithmonë ka qenë shumë i fortë, edhe kur ishte te Milani. Tani ka fituar edhe Champions League dhe po bën shumë mirë. Jam i lumtur për të, herë pas here komunikojmë dhe ai gjithmonë ka një gjë në mendje: të fitojë”, tha portieri legjendar.
Komente
