Diella, “ministrja” virtuale e kabinetit të ri qeveritar, është bërë lajm botëror. Zgjedhja e kryeministrit Edi Rama për të emëruar një “ministre” të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja, të cilat shkruajnë se Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që ndërmerr një hap të tillë.
Pas Politicos, ka shkruar edhe The Guardian, duke cituar fjalën e kreut të qeverisë gjatë Asamblesë së PS-së se Diella do të jetë e ngarkuar me prokurimin publik në një përpjekje për të ulur korrupsionin.
“Diella, anëtarja e parë e kabinetit që nuk është fizikisht e pranishme, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale, do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet një vend ku tenderët publikë janë 100% të lirë nga korrupsioni”, tha Edi Rama të enjten. Duke njoftuar përbërjen e qeverisë së tij të katërt radhazi në konferencën e partisë Socialiste në pushtet në Tiranë, Rama tha se Diella, e cila në portalin e-Albania është e veshur me kostum tradicional shqiptar, do të bëhet “shërbëtore e prokurimit publik”, shkruan media britanike.
Media amerikane Washington Post shkruan:
"Kryeministri Edi Rama tha se Diella, emri i së cilës do të thotë “Diell” në shqip, është një “anëtar i Kabinetit që nuk është i pranishëm fizikisht, por është krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale”", shkruan Washington Post.
Euronews e vë theksin se Diella është “ministrja” ë parë në botë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
“Asistentja dixhitale, e quajtur Diella, është paraqitur si një grua e veshur me veshje tradicionale shqiptare. Shqipëria ka emëruar “ministrin” e parë në botë të qeverisë së gjeneruar nga inteligjenca artificiale, duke synuar ta bëjë vendin “pa korrupsion”. Asistentja dixhitale quhet Diella, që do të thotë Diell, dhe që nga janari i ka këshilluar njerëzit se si të përdorin shërbimet qeveritare në internet. Të enjten, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ia prezantoi kabinetit të tij ministrin e dixhitalizimit.”, shkruan Euronews.
France 24 shkruan se Diella u lançua në janar si një asistente virtuale për e-Albanian dhe se deri më tani ka ndihmuar në lëshimin e 36 mijë dokumenteve dixhitale.
“Diella u lançua në janar si një asistente virtuale e mundësuar nga inteligjenca artificiale -- që i ngjan një gruaje të veshur me kostum tradicional shqiptar -- për të ndihmuar njerëzit të përdorin platformën zyrtare e-Albania që ofron dokumente dhe shërbime. Deri më tani, sipas shifrave zyrtare, ajo ka ndihmuar në lëshimin e 36,600 dokumenteve dixhitale dhe ka ofruar gati 1,000 shërbime përmes platformës”.
Today.it shkruan se pas e-Albania, ku veproi si asistente dixhitale, Diella bëhet "zyrtarisht pjesë e ekipit të qeverisë së katërt të Ramës".
"Qytetarët shqiptarë ishin njohur tashmë me ministren e re: inteligjenca artificiale ishte tashmë themeli i platformës e-Albania, e cila u lejon qytetarëve të kenë akses në pothuajse të gjitha shërbimet publike në internet. Tani Diella është bërë zyrtarisht pjesë e ekipit të qeverisë së katërt të Ramës. Sistemi, shpjeguan autoritetet, do të jetë në gjendje të vlerësojë ofertat dhe do të ketë të drejtën të "rekrutojë talente nga e gjithë bota", me qëllim kapërcimin e "paragjykimeve dhe ngurtësive brenda administratës".
Komente
