Lulzim Basha dhe Edi Rama

Opinion

Diferenca PS-PD në trajtimin e çështjeve ku përfshihen funksionarë politikë

6 Korrik 2021, 12:37| Përditesimi: 6 Korrik 2021, 12:42

  • Share

Është data 18 dhjetor 2019. Gjykata e shkallës së Parë jep vendimin penal për dënimin me 1 vit burg për deputetin (me mandat të djegur), Ervin Salianji. Akuza ishte për “Kallëzim të rremë”, e cila bën fjalë për rastin e ashtuquajtur “Babale”.

Jashtë gjykatës Ervin Salianji shpërthen me një valë akuzash politike kundër gjykatësit dhe kryeministrit Rama, duke e bërë këtë të fundit përgjegjës për dënimin e tij.

Pas shpinës së Salinjit, një tufë me ish-deputetë dhe funksionarë lokalë të PD-së që e shoqëronin në gjykatë, ku shquante sekretari i Përgjithshëm, Gaz Bardhi. Edhe ky, në një linjë me Salianjin, sulmoi politikisht gjykatën dhe kryeministrin.

Më 8 mars 2021, Partia Demokratike publikon listën me kandidatët e saj për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit, ku shquhet për qarkun Korçë, Ervin Salianji. Lista e PD-së depozitohet në KQZ dhe më 25 prill, Ervin Salianji zgjidhet deputet. Në shtator ai do ulet në Kuvendin e Shqipërisë si përfaqësues i popullit, duke pasur mbi shpinë një vendim penal.

Në një situatë ideale, por që për PD-në kjo është një fjalë e huaj, kryetari Lulzim Basha duhet të kishte pezulluar Ervin Salianjin nga çdo angazhim politik në PD, derisa ai të pastrohej nga çdo akuzë penale që rëndon mbi të. E, nëse do të dilte i pafajshëm në shkallët e tjera të gjyqësorit, natyrisht që duhet ta kishte sërish rrugën e lirë për të vijuar karrierën politike.

Nuk ndodhi kështu, sepse nuk është në traditën e Partisë Demokratike ta lërë drejtësinë të bëjë qetësisht punën e saj, pa pasur presionin politik mbi kokë. Kujtoj rastin e ish-kryebashkiakut të Lezhës, përfaqësues i PD-së, i cili teksa po shoqërohej në sallën e gjyqit për masën e sigurisë, PD-ja lokale mblodhi përpara dyerve të gjykatës një turmë të madhe mbështetësish, trysnia e të cilëve me thirrje e ulërima e detyroi gjykatën ta transferojë çështjen në Tiranë.

Kujtoj sërish rastin e ish-kryebashkiakut të Kamzës, Xhelal Mziu, i cili u mbajt disa ditë në arrest me burg dhe nuk ngeli funksionar i lartë i PD-së, pa e vizituar në qeli e pa i dhënë mbështetje politike jashtë dyerve të burgut.

Rastet janë të shumta, por mjaftojnë edhe këto për të kuptuar se çfarë kulture politike ka Partia Demokratike kur bëhet fjalë për arrestimin apo dënimin e funksionarëve të tyre politikë. U bëhet mburojë politike me stemë, flamur e burime njerëzore, duke marrë mbi shpinë edhe koston e perceptimit publik se kjo parti politike mbetet tutore politike e çdo të akuzuari nga drejtësia prej radhëve të saj.

Dhe vijmë më datë 6 korrik 2021, ku SPAK dhe gjykata speciale arrestojnë kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe. Po, cili ishte reagimi i Partisë Socialiste mbi këtë rast? Mjaftojnë të lexojmë deklaratën e kryeministrit dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, për të kuptuar diferencën me vite dritë larg midis PS dhe PD, për raste të tilla.

Edi Rama: “Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve. Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak.”

A është kjo njëra prej arsyeve përse populli i beson në vijueshmëri pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv Partisë Socialiste, duke lënë po në vijueshmëri në opozitë Partinë Demokratike? Një argument që nuk duhet nënvleftësuar, për të cilin Partia Demokratike ka rast të reflektojë kur të zhvillojë këtë muaj Kuvendin e saj Kombëtar, për t’u distancuar prej formave të saj të vjetra e penalizuese në sytë e publikut, duke zhvlerësuar çdo angazhim serioz në luftën kundër krimit e korrupsionit, pikërisht me shembujt negativë që jep kur u del në mbrojtje funksionarëve të saj politikë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?