Shtëllunga tymi mbuluan paraditen e kësaj të shtune zonën e Fushë-Mamurrasit në Kurbin, duke vështirësuar dhe lëvizjen e automjeteve përgjatë autostradës Milot-Thumanë. Kjo situatë është krijuar nga djegia e mbetjeve poshtë Urës së Lumit Drojë.
Mbetje të ndryshme si plastike goma të vjetra, hidhen gjatë natës përgjatë brigjeve të Lumit Drojë e ma pas ju vihet flaka.
Re të zeza tymi kanë mbuluar një zonë të madhe në aksin e autostradës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në këtë rrugë kombëtare.
Kjo situatë është e vazhdueshme dhe institucionet përgjegjëse vijojnë të heshtin përballë kësaj masakre mjedisore, që po ndodh ditën për diell. Krahas ndotjes masive të lumit djegia e vazhdueshme e mbetjeve është kthyer në një tjetër shqetësim, ndërsa Bashkia Kurbin ka dështuar ne menaxhimin e situatës.