KORÇË- Pas 6 ditësh në flakë, intensiteti i zjarrit në Malin e Thatë në Pustec, ka rënë. Aktualisht vatrat janë të veçuara nga njëra-tjetra dhe zjarri po mbahet në kontroll.
Zjarri është në një territor të thyer dhe në një distancë të largët nga zonat e banuara. Prej orës 05:30 të mëngjesit të sotëm të gjitha forcat janë angazhuar në terren.
Në terren ditën e sotme kanë zbritur rreth 70 forca, te shërbimit të MZSH-ve, të Forcave të Armatosura te Repartit Ushtarak Drenovë (Korçë), atyre të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor, etj.
E gjithë sfida është që të mos preket bimësia e lartë, ndërsa po punohet për të izoluar flakët dhe për të ngushtuar perimetrin e përhapjes.
Sipërfaqja e djegur deri tani me përafërsi është 200 hektarë, pjesa më e madhe me kullota dhe një pjesë e vogël e sipërfaqes është prekur kurora e gjelbër.