Digjitalizimi i ndihmave shtetërore thellon pabarazitë në shoqëri

4 Shtator 2023, 20:21| Përditesimi: 4 Shtator 2023, 20:22

  • Share

Tullumbacet shumëngjyrëshe shoqërojnë të qeshurat e zhurmat në shtëpinë njëkatëshe të familjes së Zaim Danqit të komunitetit ashkali, në fshatin Dubravë në Ferizaj.

Kjo ndërtesë është bërë shtëpi edhe e tre fëmijëve të tjerë, që kanë mbetur pa përkujdesje prindërore e që Zaimi dhe bashkëshortja e tij, Remzija, po i strehojnë.

Edhe pse këta tre fëmijë janë të moshës tetë, nëntë dhe 19- vjeçare, këtë vit ata nisën klasën e parë, pasi që nuk kanë vijuar shkollimin më parë.

Gjatë ditëve të fundit, Zaimi thotë se është kënaqur teksa ka shikuar entuziazmin e tyre për ta filluar shkollimin bashkë me pesë fëmijët e tjerë biologjikë të familjes Danqi.

“Kanë qejf të shkojnë. Madje po i shoh që po i marrin disa bllokë [shënimesh apo fletore], dalin në oborr, vizatojnë e shkruajnë diçka”, thotë Zaimi për Radion Evropa e Lirë.

Por, fillimi i rrugëtimit shkollor nuk ka qenë i lehtë për këta fëmijë. Këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë ka ndryshuar mënyrën e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.

Përderisa fëmijët më parë i merrnin librat falas në shkollë, këtë vit, prindërit është dashur t’ua blejnë vetë dhe më pas të kompensohen në shuma prej 30 ose 80 eurosh nga MASHT-i, përmes platformës digjitale të Qeverisë, E-Kosova.

Zaimi dhe Remzija thonë se nuk dinë se si të aplikojnë në platformën E-Kosova. Ata kërkuan ndihmë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, por aty morën vesh se aplikimin duhet ta bëjnë vetë në platformën online.

Kjo platformë ka 810 mijë përdorues, ndërsa popullsia e Kosovës vlerësohet të jetë mbi 1 milion e 700 mijë, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna se sa nga përdoruesit u takojnë komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Por, as Qeveria e Kosovës, e as ministri të ndryshme nuk kanë ofruar të dhëna për numrin e familjeve nga këto komunitete, që kanë përfituar nga subvencionet e ndryshme në platformën E-Kosova.

Në të kaluarën, gjatë procesit të vaksinimit për COVID-19, Radios Evropa e Lirë i ishte thënë se qytetarët nuk regjistrohen në bazë të përkatësisë etnike, por vetëm si “qytetarë të Kosovës”.

Meqë aplikimet në këtë platformë kërkojnë ngarkimin e dokumenteve online, familjet duhet të posedojnë pajisje kompjuterike në shtëpitë e tyre.

Të dhënat e ASK-së tregojnë se ka dallim të ndjeshëm sa i përket numrit të familjeve shqiptare dhe atyre rome, egjiptiane dhe ashkalike që posedojnë kompjuterë në shtëpi.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Institucioni i Avokatit të Popullit ka thënë se “kalimi në procese të digjitalizuara, ka potencial t’i thellojë pabarazitë ekzistuese në Kosovë, në veçanti për këdo që nuk ka qasje në pajisje teknologjike dhe internet”.

Megjithatë, Zaimit dhe Remzijes u doli në ndihmë një kushëri i tyre për të aplikuar online për paratë për tekstet e fëmijëve të tyre biologjikë, por procesi për fëmijët që janë duke i strehuar, mbetet i paqartë për ta.

Remzijen e mërzisin këto probleme.

“Këta po hyjnë sefte në shkollë, dua t’i çoj krejt bashkë, jo t’i lë anash, jo t’i ndaj”, thotë ajo.

Kushtet financiare i kanë sjellë edhe vështirësi të tjera familjes Danqi. I gjithë ushqimi për anëtarët e kësaj familjeje ruhet në një frigorifer të vogël, i cili, shkaku i hapësirës së vogël dhe qasjes në energji elektrike, ndodhet në dhomën gjumit.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës është duke subvencionuar pajisje elektrike shtëpiake, si makina enëlarëse dhe rrobalarëse, si dhe frigoriferë.

Qytetarët që marrin ndihmë sociale, mund t’i marrin nga 200 euro për blerjen e një frigoriferi të ri, nëse aplikojnë në thirrjen e hapur në E-Kosova.

Por, përkundër nevojës për një frigorifer, ky informacion nuk kishte arritur në veshët e Zaimit.

“Qe, unë nuk po e ditkam. Bash unë që jam në zor, unë nuk po e ditkam. Kurrgjë tjetër nuk dua, por nuk e paskam ditur”, thotë Zaimi, që në ditët në vazhdim do të drejtohet në zyrën e një organizate joqeveritare në Ferizaj, që ndihmon pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Në fund të rrugës “Seidi Sediu” në qendër të Ferizajt ndodhet zyra e organizatës “Bashkimi Rinor: E ardhmja e ndritur”.

Kjo zyrë ka qenë adresa e shumë pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian gjatë ditëve të fundit.

Duke i kryer e vetme të gjitha punët në këtë organizatë, Gyltene Osmani tregon se tek ajo kanë ardhur deri në 40 familje në ditë për të kërkuar ndihmë me aplikimet në E-Kosova.

Me një laptop përpara vetes, ajo ka hapur e-mail, është regjistruar në platformë, ka pritur për verifikim të llogarisë, ka nisur aplikimin dhe ka ngarkuar dokumentet në platformë për secilin aplikues.

“Pjesëtarët e komuniteteve [rom, ashkali dhe egjiptian] e dinë zyrën tonë dhe vijnë këtu te ne prej kur është krijuar E-Kosova, fillimisht për t’ua bërë aplikimin për vaksina [për COVID-19], pastaj me aplikime të ndryshme...”, thotë Gyltenja.

Edhe pse thotë se disa vullnetarë i kanë ofruar ndihmë, ajo është dashur të refuzojë, pasi që ka vetëm një laptop, përmes të cilit mund t’i procesojë aplikimet.

Nevoja për ndihmë shkaku i pabarazisë digjitale

Bajram Ilazi, nga organizata Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve (VORAE), thotë se nevoja për ndihmë nga organizata si ajo në Ferizaj, vjen shkaku i pabarazisë në posedimin e pajisjeve dhe shkathtësive digjitale.

“Një pjesë e madhe e komuniteteve, shkaku i kushteve të vështira financiare, nuk ka pajisje digjitale. Por, dallim edhe më të madh se kjo - mungesa e pajisjeve digjitale - bën çështja që ata nuk e dinë se si t’i përdorin ato”, thotë Ilazi.

Ilazi përkrah platformën E-Kosova, pasi që beson se ajo mund ta lehtësojë jetën e qytetarëve me shërbimet që ofron, por shton se “fillimisht duhet ta kemi popullsinë të përgatitur për këtë gjë, pasi që një pjesë e konsiderueshme nuk ka njohuri për të”.

Ai thotë se në VORAE kanë ardhur ankesa nga pjesëtarët e këtyre komuniteteve për kalimin e këtyre proceseve në formë digjitale, veçanërisht kur disa shërbime më parë janë kryer fizikisht nëpër Qendrat e Punës Sociale.

Në Institucionin e Avokatit të Popullit nuk ka arritur asnjë ankesë lidhur me aplikimin për subvencionimin për tekste shkollore. Ky institucion thotë se “nuk ka mjaftueshëm të dhëna për të vlerësuar se proceset e tilla përbëjnë diskriminim, ndonëse ndikimi i tyre mund të ndikojë në pabarazi”.

Procesi i digjitalizimit, "problem" përtej Kosovës

Ky problem nuk haset vetëm në Kosovë. Në Raportin e Bashkimit Evropian për të drejtat themelore të njeriut për vitin 2021, thuhet se “shtetet anëtare të BE-së duhet të sigurohen që infrastruktura digjitale është gjithëpërfshirëse”, duke iu përshtatur nevojave të atyre që janë më të cenueshëm, si “fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët romë dhe fëmijët e emigrantëve dhe refugjatëve”.

Në rekomandime të bëra nga Këshilli Evropian, pjesëtarët e komunitetit rom radhiten në mesin e personave që definohen si grupe që nuk e kanë të lehtë përfshirjen në procesin e digjitalizimit.

Për këtë arsye, në raportin e lartpërmendur të BE-së rekomandohet që, përkrah procesit të digjitalizimit, disa shërbime të ofrohen edhe më tutje në formë jodigjitale.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur në Qeverinë e Kosovës dhe në ministritë e ndryshme se si kanë planifikuar të sigurohen që digjitalizimi i ndihmave shtetërore është gjithëpërfshirës, por nuk ka marrë përgjigje.

Në një raport të organizatës joqeveritare, Admovere, për sfidat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian shkaku i pandemisë COVID-19, thuhet se “Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk i ka pasur parasysh nevojat e nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian kur e ka filluar organizimin e mësimit nga distanca”.

“Mungesa e qasjes në internet dhe mungesa e pajisjeve teknologjike (llaptopë, tabletë) ka ndikuar në pjesëmarrjen e ulët në procesin edukativo-mësimor të nxënësve nga këto komunitete”, thuhet në këtë raport të organizatës me seli në Prishtinë, të publikuar në vitin 2020.

Edhe Institucioni i Avokatit të Popullit e ka ngritur këtë çështje, duke raportuar se mësimi online ka paraqitur sfidë për realizimin e së drejtës së fëmijëve për arsim, veçanërisht për “fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, shkaku i mungesës së internetit, pajisjeve elektronike dhe hapësirës në vendet ku banonin.

Ky institucion ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ofrojë masa shtesë për lehtësimin e këtyre aplikimeve.

MASHT-i ka krijuar një linjë telefonike pa pagesë dhe një e-mail, ku prindërit që hasin në probleme gjatë aplikimit në subvencionin për tekste shkollore, mund të adresohen.

Por, Mustafa Jakupov, me orgjinë nga Maqedonia e Veriut e që tani punon në Qendrën e Raportimit dhe Informacionit mbi Anticiganizmin në Berlin të Gjermanisë, thotë se kjo, në vetvete, nuk është zgjidhje.

“Nëse ata nuk e kanë infrastrukturën apo shkathtësinë digjitale, atëherë ata nuk do të jenë të vetëdijshëm që ka një linjë telefonike. Kështu që duhet një plan më i qartë”, thotë Jakupov për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, pabarazia digjitale, veçanërisht në radhët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, është bërë e dukshme kur ka filluar pandemia COVID-19, në vitin 2020.

“Ajo që ato [qeveritë] nuk e morën parasysh, është se nëse dikush është i përjashtuar offline... një gjë e tillë do të reflektohet edhe në botën online. Kjo ndodhi [gjatë pandemisë COVID-19]”, thotë Jakupov.

“Në njërën anë e kemi këtë politikë që po kalojmë gjithçka online, por a do t’i marrim me vete njerëzit që nuk dinë ndoshta as se si ta ndezin një laptop? Si do ta realizojmë këtë?”, pyet Jakupov.

Hapi i parë drejt zgjidhjes duhet të jetë përfshirja e grupeve të cenueshme në secilën etapë të procesit të digjitalizimit, thotë Valmira Rashiti nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK).

Gjatë dy vjetëve të fundit, Valmira ka qenë duke punuar në një hulumtim për pabarazinë gjinore gjatë procesit të digjitalizimit në Kosovë.

“Para secilës politikë duhet të bëhet një analizë se çfarë ndikimi po ka ajo politikë, a po i prek njëmend njerëzit, gratë edhe burrat që janë më në nevojë, që vijnë prej komuniteteve të ndryshme, zonave të ndryshme, apo veç po bëhet kështu në mënyrë sipërfaqësore, pa pasur parasysh, në fakt, realizimin e nevojave kyçe, sociale dhe politike, në Kosovë”, thotë Rashiti.

Ajo shton se rezultatet e hulumtimit, që pritet të publikohet në tetor, tregojnë se deri më tani ka ndodhur kjo e dyta.

“Është rrezik që të thellohen pabarazitë sociale, për arsye se pikënisja e shkathtësive digjitale të grave dhe burrave, mandej grave dhe burrave në zona rurale e që i përkasin komuniteteve të ndryshme të stigmatizuara, nuk është e njëjtë. Ndërsa, politikat dhe intervenimet po ndodhin thuajse krejt qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm dhe kanë njohuri për mirëqenien digjitale”, përfundon Rashiti për Radion Evropa e Lirë./REL

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?