Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ndërministror për Tokën, është miratuar zyrtarisht “Udhërrëfyesi për Digjitalizimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës 2025–2028” – një plan pune konkret dhe i zbatueshëm, që përcakton hapat kryesorë për modernizimin e administrimit të pronës në Shqipëri.
Plani i punës i përcaktuar në këtë udhërrëfyes, u prezantua nga Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, e cila theksoi se digjitalizimi i të dhënave kadastrale dhe përmbyllja e regjistrimit fillestar janë thelbësore për ndërtimin e një administrate efikase, transparente dhe të orientuar nga qytetari.
Sipas saj, ky proces sjell përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë:
Rritjen e besueshmërisë së të dhënave të pronësisë,
Akses më të shpejtë dhe të saktë në informacion,
Uljen e mundësive për abuzime dhe manipulime me dokumentet e pronës,
Përmbushjen e kritereve të integrimit europian, sidomos në përputhje me standardet e BE për administrimin e tokës,
Plotësimin me tituj pronësie dhe regjistrimin e tyre në regjistrin kadastral.
Udhërrëfyesi parashikon digjitalizimin e tre elementëve kyç të sistemit të pronës: dokumentacionit tekniko-ligjor, kartelave të pronësisë dhe hartave kadastrale – që përbëjnë bazën e të dhënave kadastrale dhe janë të domosdoshme për vërtetimin dhe mbrojtjen e të drejtës së pronësisë.
Gjithashtu, një komponent tjetër i rëndësishëm i planit është Regjistrimi Fillestar një proces thelbësor për evidentimin dhe legalizimin e pronës, në ato zona ku ky proces nuk është kryer më parë. Në total, 274 zona kadastrale në Shqipëri do t’i nënshtrohen për herë të parë regjistrimit fillestar. Objektivi i ASHK-së është që ky proces të përfundojë plotësisht në mbarë vendin brenda vitit 2028.
Afatet kryesore të zbatimit janë si më poshtë:
Deri në fund të vitit 2025: përfundon skanimi dhe arkivimi elektronik i të gjithë dokumentacionit tekniko-ligjor referues.
Deri në fund të vitit 2026: përfundon digjitalizimi i kartelave të pronësisë dhe i hartave kadastrale.
Po gjatë vitit 2026: përmbyllet regjistrimi fillestar në 95% të zonave kadastrale të vendit.
Deri në fund të vitit 2028: finalizohet regjistrimi fillestar për të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Goxhobelli theksoi se ASHK është plotësisht e angazhuar për zbatimin me sukses të këtij plani, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet publike, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe me fokus të pandërprerë tek qytetari.
“Ky udhërrëfyes është një hap i madh drejt ndërtimit të një sistemi të integruar dhe të besueshëm të pronësisë, që i shërben qytetarëve, ekonomisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit”, – u shpreh ajo.
Komente
