Zef Ujkaj

Dosje

Diktatura komuniste e Enver Hoxhës i hoqi nga dora penelin dhe i dha furçën e bojaxhiut, historia e panjohur e skenografit të Teatrit të Durrësit, Zef Ujka

27 Shtator, 07:52| Përditesimi: 27 Shtator, 08:00

  • Share

Disa kohë më parë, artistët durrsakë të skenës festuan 61-vjetorin e krijimit e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit bregdetar. E bashkë me të përkujtuan edhe një prej njerëzve që kontribuuan më shumë në rritjen e këtij institucioni artistik, skenografin Zef Ujkaj. Zefi vdiq më 18 janar të vitit 1990. Kam qenë shumë i ri, kur skenografin e teatrit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, e degdisën në një punë tjetër, që nuk kishte asnjë lidhje me formimin dhe aftësitë e tij.

Zef Ujkaj do ta kalonte pjesën tjetër të jetës, duke punuar si bojaxhi. Ishte viti 1975 dhe sistemi diktatorial, që e transferoi apo “qarkulloi” siç njihej atëherë fjala më e butë, e goditi rëndë Zef Ujkën. Vetëm 39 vjeç, në kulmin e energjive të tij krijuese, atë e larguan nga skena ku “ndërtoi” me dhjetëra pamje të realitetit ku jetonte dhe ku do të donte të jetonte.

Kolegët aktorë e regjisorë, por edhe punonjësit e Parkut të Mallrave që kanë punuar me të, vazhdojnë të respektojnë kujtimin e njeriut të kulturuar, që kontribuoi në jetën artistike të Durrësit, jo vetëm si skenograf e piktor, por edhe si vizionar i mendimit kulturor. Ne, bashkëqytetarët më të rinj në moshë, e kujtojmë tek lëvizte në qytet me pardesynë të lidhur në mes dhe me mustaqet e dendura, që përpiqeshin të fshihnin trishtimin.

Pasioni për pikturën

Zefi u lind në Tiranë më 16 mars 1936. “Pikturën e kishte pasion dhe gjithë kohën e lirë rrinte duke pikturuar, nga gjymat në oborr deri te gjyshja e te ne vëllezërit” – shkruante dikur vëllai i tij i ndjerë, Gjergj Ujkaj. “Gjyshja I thoshte: “Hiq dorë nga ai zanat, se nuk ia ka parë hajrin njeri” – kujton Gjergji.

Por pasioni ishte më i fortë. Gjatë gjimnazit Zefi nisi të vizitonte studion e skulptorit të njohur Sabri Tuçi, në Durrës. Punimet e djaloshit tërhoqën vëmendjen e specialistëve dhe megjithëse 20 vjeç, ndjek mësimet në Liceun Artistik të Tiranës. Nuk do të zgjaste shumë.

Pas disa muajsh thirret të kryejë shërbimin ushtarak, sigurisht në një brigadë pune, pasi rridhte nga një “familje e deklasuar”. Por Zefi nuk dorëzohet. E përfundon Liceun dhe bashkënxënësit mbajnë mend suksesin e punës, me të cilën mbrojti diplomën, “Nusja kosovare”.

Një tablo që entuziazmoi edhe pedagogët e tij të shquar Nexhmedin Zajmi, Abdurrahim Buza e Sadik Kaceli. Zef Ujkaj u bë skenografi zyrtar i teatrit “Aleksandër Moisiu”, falë një rrethane fatlume. Paraardhësi i tij doli në pension.

Do të fillonte një periudhë krijimi, në të cilën nuk mjaftonte muza e piktorit. Teatri si art kolektiv, kërkonte idetë e të gjithëve nga regjisori e aktorët, deri te ndriçimi e fonia. Me Zefin skenografia u bë një nga pikat më të forta të teatrit të Durrësit.

“Zefi nuk qe vetëm skenograf i klasit të parë, por e hidhte vështrimin edhe mbi lojën e aktorëve dhe në artin e regjisorit”-kujton “Artisti i Popullit” Gjergj Vlashi. Ato njohuri të thella nuk i kishte fituar në shkollë sepse atë ia mohuan, por me punë këmbëngulëse, me impenjim serioz. Si intelektual i mirëfilltë, Zefi u formua në tryezën e punës me libër dhe penel në dorë”-shkruan regjisori i njohur Vlashi.

Artisti i formuar

Por me gjithë ndihmesën e madhe që kishte dhënë në skenografi Zefin e larguan nga teatri pikërisht në kohën e pjekurisë e kur mund të jepte më shumë. Larguan nga teatri edhe bashkëshorten e tij, aktoren e njohur Filika Ujkaj, duke ia rënduar gjendjen ekonomike të familjes. Zefin e dërguan të punonte… bojaxhi. Edhe atje, si gjithmonë ai ishte dinjitoz dhe punëtor.

“Në Parkun Mallrave respekti për të qe i lexueshëm dhe masiv”- shprehet Kujtim Plangarica, një nga shokët e afërt të punës. “E thërrisnin Baca Zef” - kujton Plangarica, duke vazhduar: “Ashtu natyrshëm jashtë organikës, u krijua një vend pune si disenjator ndonëse, ndonjë zë i veçuar thërriste: Ehh, ai bojaxhiu që ju e quani piktor”.

Diktatura i hoqi nga dora penelin dhe i dha furçën e bojaxhiut. “Mendonte se kështu e kishte çarmatosur, por Zefit mund t’ja thyeje penelin, por nuk mund t’ja mposhtje shpirtin e papërkulur, burrërinë, karakterin e fortë dhe integritetin shpirtëror dhe mendor” - shprehet regjisori Gjergj Vlashi.

Vazhdoi të punojë në kavalet si një piktor me aftësi të spikatura, siç dallohet veçanërisht te “Portreti i gjyshes”, “një hetim psikologjik që të mrekullon”, siç shkruan Gjergj Vlashi.

“Tablonë e fundit e jetë së tij, Zefi e punoi në ballkonin e shtëpisë dhe ua kushtoi dy vajzave të mrekullueshme, Xheinit dhe Silvit, të cilat së bashku me Filikën, i rritën plot kujdes prindëror.

Zef Ujkaj i ndjeu ndër të parët rrymat e ngrohta të demokracisë që nisën të fryjnë në acarin e diktaturës; dalloi shenjat e para të një agimi të ri që po lindte pas natës së gjatë. Plot 35 vjet më parë, u fik pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 54-vjeçare. / Memorie.al

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Diktatura: 27/09/2025 11:34

    I kishin shume frike ne ago kohe emrat Zef , Mark , Llesh , Prenge , Bibe etj etj ! Ajo frike sot shikohet edhe tek institucionet ! Asnje Llesh - Zef apo Gjon nuk e ke minister ! Ndaj ketu duhet nderhyrje nga Vatikani

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?