Bashkia e Peqinit ka nxjerrë në ankand 80 përqind të aksioneve të Klubit të Futbollit Shkumbini, për një vlerë prej 4 milionë lekësh (të rinj). Aktualisht në vendin e tretë të grupit B në Kategorinë e Dytë, peqinasit janë në garë për t'u ngjitur në të Parën, teksa sezonin e fundit në klub ka investuar biznesmeni Ali Kasa.
Në ankandin e shpallur nga Bashkia Peqin, si aksionere me 100 përqind të të drejtave në klub, bëhet me dije se data e mbajtjes së procesit të shitjes do jetë data 18 mars 2024.
"Klubi i futbollit ‘Shkumbini’ sh.a është shoqëri e organizuar në formën e shoqërisë aksionere e krijuar në vitin 2011, ku aksionet zotërohen në masën 100% nga Bashkia Peqin. Në mënyrë më të zgjeruar objekti i shitjes përshkruhet në shtojcen 10” thuhet në këtë dokument.
Vendi i zhvillimit të ankandit do jetë në Bashkinë e Peqinit në datën 18 mars 2024 dhe vlera fillestare e procedurës nis nga 4.000.000 lekë (4 milionë lekë të rinj).
Pritet që presidenti aktual Ali Kasa të bëjë ofertën e tij për të kaluar 80 përqind të aksioneve në emrin e kompanisë që zotëron, duke i hapur rrugë ndryshimit të statusit të Klubit të Futbollit Shkumbini.
Për t'u theksuar se prej sezonit 2013-14 Shkumbini militon në kategoritë e ulëta dhe nuk ia ka dalë që në dhjetë sezone të marrë pjesë në elitën e futbollit, duke u dënuar edhe me zbritje në të Dytën për shkak të dhunës ndaj arbitrave.
Emri i Shkumbinit nuk është i padëgjuar, pasi për klubin nga Peqini u përfol në 2013 për një binjakëzim me klubin e Serie A, Lazios, si edhe një kanal të njëjtë me Lazio Channel, gjë që nuk u vendos kurrë në jetë.
Për t'u theksuar se Shkumbini në vitet e arta ia dilte të renditej edhe në vendin e katërt në Superligën e futbollit.