Deri në çfarë moshe është normale që një fëmijë të besojë tek Babagjyshi i Vitit të Ri? A është mirë të inkurajosh trillimin, dhe të krijosh çdo vit inskenimin e ardhjes magjike të dhuratave, apo do të ishte më mirë të tregohej e vërteta? Dhe si duhet menaxhuar zbuliminnga fëmija se plaku me mjekër të bardhë dhe me kostum të kuq, ekziston vetëm në fantazinë e njerëzve?
Janë të shumtë prindërit që ia bëjnë vetes këto pyetje, ndërsa përgatitin pakot e dhuratave, nëpërputhje me letrën e famshme plot me dëshira drejtuar Polit të Veriut. Dhe megjithëse nuk janë të shumta në numër, ekzistojnë në fakt disa studime mbi përfitimet (apo dëmet) e besimit tek Babagjyshi.
Fuqia e imagjinatës
Para së gjithash, duket se nuk ka asnjë rrezik nga të nxiturit që ata të besojnë tek Babagjyshi. Ndryshe nga sa mendohej deri vonë, edhe fëmijët shumë të vegjël në moshë, janë të aftë të bëjnë dallimin midis imagjinatës dhe realitetit.
“Kur fëmijët ‘bëjnë gjoja’, ata ushtrojnë një kapacitet vendimtar nga një këndvështrim evolucionar:atë të imagjinimit të mënyrave alternative ndaj realitetit”-thotë Elison Gopnik, psikologe që merret me zhvillimin konjitiv të fëmijëve.
Ai është një ushtrim i dobishëm për trajnimin e aftësive të arsyetimit kundërfaktual. Me pak fjalë, çuarja nëpër mendje sesi plaku i moçëm, mund të shpërndajë dhurata në të gjithë botën brenda një natë të vetme, apo sesi zbret me gjithë barkun e tij të madh nga oxhaku i ngushtë, do të ishte e njëjta imagjinatë që kërkohet për të gjetur zgjidhjen e një problemi shkencor.
Jo tamam një gënjeshtër
Edhe pa e menduar se mund të inkurajojnë karrierën e shpikësit të ardhshëm, shumica e ekspertëve bien dakord se besimi tek Babagjyshi, si shumë krijesa të tjera fantastike, është një fazë normale e zhvillimit konjitiv të fëmijëve.
“Në fund të fundit, ajo e Babagjyshit nuk është tamam gënjeshtër, por një lloj nxitjeje për të marrë pjesë në një histori të trilluar”– thotë Zhaklin Ulej, psikologe në Universitetin e Teksasit, SHBA. Megjithatë, ka edhe një qasje të kundërt.
Për shembull, profesori i filozofisë Dejvid Xhonson, e cilëson Babagjyshin “një gënjeshtër të padobishme”, që e minon besimin e fëmijëve tek të rriturit. Për më tepër, sipas Xhonson, zbulimi i së vërtetës mund t’i shkaktojë një traumë jo të vogël fëmijëve.
Por ky rrezik, konsiderohet si joekzistent nga psikologia Kerol Sloterbek. Pasi intervistoi qindra nxënës, ajo pretendon se ka gjetur vetëm një rast të traumës së rëndë të shkaktuar nga zbulimi i mos–ekzistencës së Babagjyshit. Një baba i tha në një moment vajzës së tij të vogël,se Babagjyshi nuk ekzistonte më, pasi kishte pësuar një atak në zemër dhe kishte vdekur.
Epoka e pafajësisë
Deri në moshën 5 vjeçare, fëmijët besojnë zakonisht pa kushte tek Babagjyshi i Vitit të Ri. Në moshën 7 vjeçare shumë fëmijë nisin të dyshojnë, ndërsa në moshën 9 vjeçare vështirë se ka fëmijë që e beson këtë histori. Por në dallim nga sa priremi të mendojmë, zbulimi i tëvërtetës nuk ndodh papritur.
Edhe ai që duket si një incident dramatik, për shembull kur babi apo mami kapen në flagrancë nga fëmija gjatë natës duke i vendosur dhuratat nën pemë, ky zakonisht është thjesht konfirmimi i një dyshimi të mëparshëm. Në rast se fëmija nuk ka arritur ende në moshën e duhur, ka të ngjarë që as diçka e tillë të mos e dëmtojë besimin e tij tek Babagjyshi i Vitit të Ri.
Në një studim të kryer disa vite më parë, dy studiues analizuan reagimin e 52 fëmijëve ndaj zbulimit të së vërtetës. Në shumicën e rasteve ata e kuptuan vetë, dhe shumica shprehën ndjenja pozitive pas zbulimit të së vërtetës.
Por edhe kur fëmija trishtohej, kjo ndenjë zgjaste shumë pak. Nga ana tjetër, ata që përjetonin ndjenjat e nostalgjisë dhe trishtimit ishin prindërit, të cilët siç e tregon një studim tjetër, luajnë një rol kyç në këtë aspekt: sesa shumë beson fëmija tek Babagjyshi, varet edhe nga sa shumë kanë investuar ata vetë në tregimin e imagjinuar, dhe sa të hollësishme janë detajet nëhistorinë që tregojnë.
Të dhëna kyçe
Sloterbek analizoi mbi 1 mijë letra drejtuar Babagjyshit gjatë viteve 1998–2003 në Skrenton të Pensilvanisë, të përshkruara në librin e saj “Psikologjia e Babagjyshit”. Shumë fëmijë e pyesnin plakun e madh, se si ai ishte në gjendje të realizonte udhëtimet e tij të jashtëzakonshme, dhe në fund shpreheshin se nuk ishin të sigurt për ekzistencën e tij.
Qoftë për shkak të “mospërputhjeve” (fëmija mund të dallojë qartë llastikun që mban mjekrën e tij të rreme, apo këpucët e babait të maskuar si Babagjyshi), apo për dyshimet e ngritura nga shokët më të mëdhenj që tashmë e kanë kuptuar, apo sepse miti ka shumë pika kontradiktore, për çdo fëmijë vjen një moment i caktuar kur duhet të ballafaqohet me realitetin.
Kur prindërit e shohin se ka mbërritur ky moment, psikologët rekomandojnë se është më mirë të mos bëni “zbulime të bujshme” (përveç rastit kur duhet t’i përgjigjeni një pyetjeje direkte), por të lejoni që e vërteta të zbulohet gradualisht nga vetë fëmija … ndoshta duke lënëdisa shenja të dobishme për “investigimin” e tyre.
Nëse mbërrijnë vetëm në këtë zbulim, ai do të jetë një moment historik i vogël për ta, një mirëseardhje në botën e të rriturve. Dhe ata do të jenë gjithmonë në gjendje tangushëllojnë veten, duke ndihmuar në krijimin e skenës së Babagjyshit për vëllezërit dhe motrat më të vogla. / Bota.al