TIRANE- I ftohti i janarit dhe i shkurtit, i shoqëruar me konsum të lartë të energjisë elektrike e ka rritur ndjeshëm faturën e importit të energjisë nga bursa ndërkombëtare. Vetëm në dy muajt e parë të vitit Korporata Elektroenergjetike, ka zhvilluar 7 ankande për të blerë energji elektrike për të garantuar furnizim pa ndërprerje. Sipas të dhënave të ankandeve në total për muajit janar e shkurt KESH ka importuar 180 mijë megavat orë energji, me çmim mesatar 156.2 euro një megavat.
Dy ankandet me çmimin më të lartë të energjisë elektrike kanë qenë për periudhën 15-19 janar ku 12 mijë megavat janë tregtuar me çmim 170.82 euro/megavati, dhe ankandi tjetër ishte i datave 17-23 shkurt ku 33.600 megavat janë blerë me 162.1 euro megavati. Ndërsa aktualisht çmimi për megavat në bursë është nga 140-150 euro megavati.
Fatura e importit të energjisë për këtë dymujor ka arritur në afro 28 milionë euro, nga 0 që ishte vlera vitin e shkuar. Një vit më parë nuk u realizua asnjë ankand për blerje energjie deri në muajin qershor për shkak se i gjithë konsumi u mbulua nga prodhimi në hidrocentralet në vend. Ndërsa këtë vit duket se as reshjet e këtyre dy muajve nuk kanë qenë të mjaftueshme për të furnizuar pa ndërprerje konsumatorët.
Për të ulur konsumin e energjisë dhe për të nxitur përdorim e burimeve të rinovueshme, qeveria ka ndërmarrë disa nisma, si ulja e çmimit të energjisë për familjet që konsumojnë më pak se 700 kilovat nga 9.4 lekë në 8.4 lekë, si dhe është hapur thirrja e dytë për 2 mijë familje të tjera do të përfitojnë panele diellore për ngrohjen e ujit me çmim të subvencionuar nga shteti. Aplikimet për këtë thirrje hapen të hënën 24 shkurt, ku familjet fituese të skemës do të paguajnë vetëm 30% të vlerës pasi 70% subvencionohet nga shteti.
Procedura 7 ankande
Sasia e blerë 180 mijë mwh
Çmimi mesatar 156.2 euro/mwh
Vlera totale 28 mln euro
Komente

Importi i energjise ne 28 milion euro e duket pak i dyshimte ne kete periudhe ! A japin energi ato dy rangallet tek triporti ne Vlore . Per situate emergjente u moren
Përgjigju