Muajt e dimrit janë të mjerueshëm për banorët e fshatrave të Kukësit që nisin me motin e ftohtë, dëborën, erën, ndërprerjet e energjisë elektrike, izolim nga mungesa e rrugëve për të shkuar jo vetëm në qytet, por as tek fqinji.
"Rruga ka ato vështirësitë e veta, por më problem kemi dritat elektrike, sapo fiken nuk ka kush i takon më".
"Kjo është shumë rrugë e vështirë, prej vitesh kështu ka qenë dhe shteti nuk ka vënë dorën asnjëherë. E pakalueshme sikur duket. Është rrugë ekstrem, 4600 m nga autostrada deri në qendër të fshatit."
Në fshatrat e Mamëzit, Surrojt e Arrnit banorët thonë se kalojnë netët e dimrit në errësirë. Më të vështirë e ka mosha e tretë të cilët jetojnë vetëm.
“Për kohën e dimrit është problem edhe energjia sepse sa ka erë apo shiu ndërpritet”.
“Sa të duash kemi vështirësi, edhe ujë s’kemi po dritat nuk i bëjnë dy minuta, javë e ditë shkojmë pa to. Boll e vështirë se njëherë të dhemb këmba njëherë koka, herë çohesh nga shkallësh rrëzohesh. Natën fiken kur ka fortunë rrijmë 24 orë pa drita”.
Fenomeni i largimit të të rinjve në këto fshatra është mëse i dukshëm. Në lagje e rrugica syri sheh vetëm të moshuar.
"Vetëm unë dhe 2-3 veta të tjera janë të rinj, të gjithë janë moshë e tretë, çfarë me përballu sepse është papunësi e madhe, s’ka punë fare këtu”.
Banorët bëjnë thirrje për më tepër vëmendje në investime për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe frenimin e braktisjes së zonave rurale.